Chavez synon përmirësimin e marrëdhënieve me Washingtonin
Venezuela po synon përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në, përkundër tendosjeve shumëvjeçare me Washingtonin, ka deklaruar presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez.
Chavez tha se i ka dhënë leje zëvendësministrit të Jashtëm, Francisko Cardenas, që të kërkojë takim me zyrtarët amerikanë në Washington, me qëllim të vendosjes së marrëdhënieve më të mira bilaterale.
“Cardenas ka kërkuar autorizim për t’u takuar me të dërguar të administratës amerikane dhe unë ja kam dhënë atë. Dëshirojmë të flasim, prandaj ka mundësi për zbutjen e tendosjeve”, tha Chavez.
Megjithatë, ai në anën tjetër kritikoi përpjekjet humanitare të SHBA-së në Haiti. “Duket se amerikanët po okupojnë ushtarakisht Haitin. Obama, dërgo medikamente, mjekë dhe ujë, e jo ushtarë”, tha presidenti i Venezuelës.
Chavez ka akuzuar SHBA-në dhe Kolumbinë se po spiunojnë Venezuelën dhe se po zhvillojnë konspiracion, për të përmbysur qeverinë “revolucionare” në Karakas.