E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janukovic dhe Tymoshenko në rrethin e dytë

Komisioni zgjedhor në Ukrainë ka publikuar sot rezultatet e pjesërishme të zgjedhjeve presidenciale, të cilat dëshmojnë se udhëheqësi i opozitës, Viktor Janukovic dhe kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko do të garojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të zhvillohet muajin e ardhshëm.

Me 70 për qind të votave të numëruara, Janukovic ka fituar 36.2 për qind të votave, ndërsa Tymoshenko është rreshtuar në vendin e dytë, më 24.6 për qind të votave. 16 kandidatët tjerë kanë mbetur shumë prapa dy kryesuesve.

Janukovic ka premtuar se do të ndal përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe se do ta bëjë gjuhën ruse gjuhë të dytë zyrtare në Ukrainë.

Tymoshenko është heroinë e revolucionit të portokalltë në vitin 2004 dhe ka kritikuar ambiciet imperialiste të Rusisë. Por gjatë viteve të kaluara, ajo ka arritur disa marrëveshje me Moskën në fushën e energjisë dhe të sigurisë.

Pas zgjedhjeve që u zhvilluan të dielën, Tymoshenko falënderoi ithtarët e saj për faktin se kanë injoruar sulmet në adresë të saj.

“Përkundër gjithë fushatës së diskriminimit, të iniciuar nga njerëzit e afërt me Janukovicin, njerëzit dëshmuan mençurinë dhe besimin e tyre në mua”, tha Tymoshenko.

Presidenti aktual i Ukrainës, Viktor Jushchenko, i cili kryesoi revolucionin e portokalltë, ka fituar vetëm 5 për qind të votave.

Janukovic dukej se ishte i ngazëllyer për shkak të fitores së shënuar kundër Jushchenkos në rrethin e parë. “Dita e sotme shënon fundin e pushtetit të portokalltë. Në rrethin e dytë nuk do të ketë vend për Jushchenkon. Ai ka humbur besimin e njerëzve”, tha Janukovic.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›