E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea Clinton, dasmë më 31 korrik



Vetëm 400 të ftuar në dasmën e vajzës së vetme të Bill dhe Hillary Clinton. Chelsea dëshiron që të ftuarit t’i njohë të gjithë personalisht. Priten qejfmbetje dhe acarime diplomatike

Padyshim që do të ketë shumë qejfmbetje, madje mund të ketë edhe acarime diplomatike. Por Chelsea ka vendosur kështu. Në dasmën e saj, nuk do të ketë një listë pa fund të ftuarish, për të cilët ajo nuk ka dëgjuar kurrë. Ajo madje duhet t’i njohë të gjithë, kokë për kokë. Më në fund e ka një datë edhe dasma e pinjolles së Clintonve. Chelsea Clinton, vajza e vetme e ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, do të martohet më 31 korrik në Nju Jork me të fejuarin bankier, Marc Mezvinsky, miku i saj i fëmijërisë dhe djali i dy ish-parlamentarëve demokratë, miq të familjes. Sipas “New York Magazine”, evenimenti rrezikon të kthehet në një makth diplomatik dhe organizativ. “Lista e të ftuarve parashikon 400 vetë. Një numër i pamjaftueshëm për të përfshirë qoftë edhe vetëm ata që kanë fjetur në “Lincoln Bedroom”, gjatë presidencës Clinton”, shkruhet në New York Magazine. Duket se jashtë liste do të mbeten sponsorët e Bill dhe Hillary, për të mos folur pastaj për stafin e Departamentit të Shtetit dhe të Fondacionit “Clinton”, funksionarë të administratave Clinton e Obama, apo trupa diplomatike.
Mësohet se Chelsea ka vendosur një rregull të hekurt sa i përket ceremonisë: duhet të njohë personalisht çdo të ftuar. Deri në momentin e fundit do të mbahet sekret vendi ku do të zhvillohet dasma. “Organizatori i dasmës do t’ia komunikojë vendin e festës, personalisht çdo të ftuari, vetëm një javë përpara dasmës”, bëjnë me dije burime pranë dasmorëve. “New York Magazine” citon burime jo zyrtare, sipas të cilave dasma mendohej të zhvillohej në muajin gusht në Martha’s Vineyard, një ishull në Massachusetts, ku Clinton dhe Barack Obama shpeshherë kanë kaluar pushimet e tyre. Por me shumë gjasa dasma mund të zhvillohet në Westchester apo në kontenë e Dutchess, në pronën e një mbështetësi të pasur të Clintonve. Në datën 29 qershor Clintonët do të organizojnë një festë në Washington për miq dhe të afërm. Organizator i banketit është Bryan Rafanelli, një njeri i besuar i Hillary Clinton.
E vetmja “njollë” e festës mund të jetë mungesa e vjehrrit të ardhshëm Ed Mezvinsky, ish anëtari demokratik i Kongresit dhe e vjehrrës, Marjorie, që tetë vjet më parë, në vitin 2002 u shpallën fajtorë për një mashtrim financiar prej 10 milionë dollarësh. Pasi kreu 5 vjet heqje lirie në një burg federal, u lirua në prill të vitit 2008 dhe u detyrohet edhe 9,4 milionë dollarë, viktimave të veta. Prania e tij në dasmë, vetëm sa do të tërhiqte vëmendjen e paparacëve dhe do të bëhej burim thashethemesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›