Maradona, frikë nga sulmi meksikan
Trajneri i Argjentinës, Diego Armando Maradona, dje në mesditë ka dalë në konferencën për shtyp, atje ku me tone të zbutura ndaj gazetarëve ka folur përpara ndeshjes me Meksikën, e cila zhvillohet sot për 1/8 e finaleve të kampionatit botëror. Janë dy skuadra të cilat njihen mirë me njëra-tjetrën e për rrjedhojë ia dinë sekretet. Maradona, duke qenë i kënaqur për ekipin e tij, e vetmja frikë që ka është kundërsulmi i shpejtë i meksikanëve. “Ata kanë një sulm të shpejtë, i cili niset nga një mbrojtje e ngjeshur. Ata, pasi e marrin topin dinë ta nisin kundërsulmin. Në këtë pikë ne duhet të jemi të vëmendshëm, sepse vetëm aty i frikësohem Meksikës”, ka thënë Maradona.
Ndërsa trajneri i Meksikës, Havier Aguirre, u shpreh se skuadra e tij është shumë pranë historisë. “Na duhet vetëm një ndeshje për të hyrë në histori. Jo vetëm kaq, por kemi edhe një motiv më tepër për t’u hakmarrë, pas atij eliminimi në raundin e 1/8-ve të Botërorit të Gjermanisë nga i njëjti rival, Argjentina”, u shpreh trajneri, i cili nuk harroi t’i bëjë thirrje ekipit për të qenë i qetë, pavarësisht me cilën skuadër do të luajnë.