Sharje në kor për Italinë e Botërorit në aeroport, Lipi nën akuzë
Italia ka mbërritur në Romë pas eliminimit nga Kupa e Botës “Afrikë e Jugut 2010”, e pritur nga reporterë të shumtë dhe tifozë tejet të zemëruar. Këta të fundit nuk kanë kursyer sharje dhe ofendime në drejtim të futbollistëve, ku ndër më të sulmuarit ishte Alberto Xhilardoni dhe trajneri Marçelo Lipi. Disa tifozë kanë shkuar ta sulmojnë te makina e trajnerit, ndërsa disa të tjerë i kanë kërkuar autografe. Lipi është vënë gjerësisht nën akuzë për lënien në shtëpi të disa lojtarëve të talentuar si Antonio Kasano, Mario Baloteli etj. Ndërkohë tjetër atmosferë në Napoli për sulmuesin Fabio Kualiarela, i cili ka qenë i vetmi që është pritur si hero, jo vetëm për golin e shënuar ndë ndeshjen ndaj Sllovakisë, por edhe për shpirtin e garës, treguar në këtë Botëror. Ishte hera e parë që prej vitit 1974 që “axurrët” eliminoheshin që nga faza në grupe, ndërsa asnjëherë nuk ishin larguar nga Kupa e Botës pas asnjë fitore. “Tifozët kanë të drejtë, sepse i zhgënjyem, por të gjithë jemi të dërrmuar nga ky dështim”, tha mesfushori Simone Pepe, një ndër më të kritikuarit e 23-esh së Marçelo Lipit. Kombëtarja italiane ishte një nga zhgënjimet më të mëdha të këtij Botërori, pasi ajo nuk arriti të kualifikohej as në grupin më të lehtë të tij. Italia mori një barazim me Paraguain në ndeshjen e hapjes, më pas zhgënjeu totalisht në barazimin 1-1 me modestët e Zelandës së Re dhe në fund u mund 3-2 nga Sllovakia.