Chelsea e Benitezit barazon me Man Cityn

Menaxheri i ri i Chelseat, Rafael Benitez mori pritje armiqësore në Stamford Bridge derisa skuadra e tij barazoi 0-0 me Manchester Cityn në kuadër të xhiros së 13-të në Premierligë.
Kjo ishte ndeshja e tij e parë në drejtim të skuadrës londineze prej emërimit në post në vend të italianit Roberto Di Matteo. Benitez, i cili riktheu Fernando Torresin në formacionin bazë të Chelseat u vërshëllye nga tifozët para fillimit të ballafaqimit në Stamford Bridge.
City pati rastet më të mira në duelin e baraspeshuar. Mesfushori David Silva goditi jashtë portës kurse Petr Cech ia mohoi golin mbrojtësit Pablo Zabaleta. Te Chelsea, Torres u angazhua mjaft por Chelsea kishte vështirësi në krijimin e rasteve dhe ato të paktat që u shfaqën, nuk i konkretizoi spanjolli.
Me këtë barazim, City bie në pozitën e dytë në tabelë me 29 pikë, një më pak se lideri Manchester United. Kurse, Chelsea gjendet e katërta me 25 pikë.