‘Plisat’ ndezin Prishtinën

Tifozët prishtinas ‘Plisat’ me ngjyrat bardhekaltër kishin stolisur qendrën e kryeqytetit, për ta festuar 25-jetorin e formimit të tyre, me moton: ‘25 vjet Plis, 25 vjet Krenari, 25 vjet pranë Prishtinës – E përjetshme është Prishtina’.
Vërtet ,organizimi i festimit të 25-vjetorit të formimit të ‘Plisave’ ishte madhështor.
Festën ata e nisën nga orët e hershme të mëngjesit, por zyrtarisht ajo filloi në ora 16:00 në sheshin ‘Nëna Tereze’, ku ka pasur edhe koncert. Ndërsa, kulmi i festës u shënua në ora 20:00, kur e përfshiu thuajse çdo lagje të kryeqytetit.
Prej ndërtesave më të larta të lagjeve të ndryshme, fishekzjarrët tepër të shumtë e zdritën Prishtinën, gjë që nuk ndodh në kryeqytet as për festa shumë më të madha. Kjo bëri që çdo qytetar vërtet të ndihej krenar që jeton në Prishtinë.