E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona sulmon Pelen

Diego Maradona e ka thumbuar sërish brazilianin Pele. Legjenda e futbollit argjentinas thotë se nëse rivali i tij i përjetshëm është Beethoveni i futbollit siç pretendon, atëherë trajneri i Al Wasl është Ronny Wood, Keith Richards dhe Bono i këtij sporti. Gjithashtu, Maradona e udhëzon Pelen që t’i marrë medikamentet e duhura ose ta ndërrojë mjekun.

Sfida ndërmjet Diego Armando Maradonës dhe Peles nuk ka të ndalur. Legjenda e futbollit argjentinas dhe legjenda e futbollit brazilian vazhdimisht e thumbojnë njëri tjetrin, pasi që e konsiderojnë veten secili lojtari më i mirë i të gjitha kohëve në sportin më të popullarizuar në botë.

Së fundmi, për ta sulmuar ish futbollistin e Santosit është përkujdesur ish futbollisti i Napolit. Maradona, trajner aktual në Al Wasl, e ka shfrytëzuar konferencën e tij për shtyp për ta vazhduar luftën ndaj rivalit të tij të përjetshëm. Argjentinasi insiston se është më i pasionuar pas futbollit sesa legjenda braziliane.

Pele gjatë një interviste për FIFA.com, ditë më parë thoshte: “Jam lindur për të luajtur futboll, njëjtë si Beethoveni që është lindur për të shkruar muzikë dhe Michelangelo që është lindur për të pikturuar”.

Kurse Maradona e gjeti mundësinë ideale për t’iu përgjigjur komenteve të Peles, duke e referuar veten si një ‘rock-star’ (yll roku) i këtij sporti. “Nëse Pele mendon se ai është Beethoveni i futbollit, unë duhet të jem Ron Wood, Keith Richards dhe Bono i futbollit, ngase unë kam pasion të madh për futbollin”, deklaroi ish kampioni i botës para gazetarëve.

Maradona e përsëriti deklaratën e tij të famshme, duke shtuar se braziliani ka nevojë t’i marrë medikamentet e duhura para se të japë deklarata.

“Pele ka thënë se ai është Beethoveni i futbollit. Unë nuk kam dëgjuar kurrë një muzikë të Beethovenit në një ndeshje, prandaj, siç e kam thënë më parë, ndonjëherë ai i përdor hapat e gabuar duke dhënë deklarata të çmendura”, nënvizoi argjentinasi.

“Pele ka mundësi që i ka marrë hapat e mëngjesit në kohën e natës, kështu që ai duhet të jetë i sigurt dhe t’i marrë hapat e duhur. Në fakt do të ishte më mirë që ai ta ndërronte doktorin”, vazhdoi Maradona me deklaratat e tij kontroverse.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›