Chelsea, në Camp Nou me avantazh

Chelsea do të udhëtojë drejt Spanjës javën tjetër me avantazh prej një goli, të cilin e arriti sonte, në fitoren me rezultat 1:0 ndaj Barcelonës, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar në stadiumin Stamford Bridge.
Gjigantit katalunas nuk i ka mjaftuar kontrollimi i lojës dhe rastet e shumta që pati, për ta kapur një rezultat pozitiv në Londër.
Alexis Sanchez e goditi tërthorësen në pjesën e parë, ndërsa pati një rast tjetër të pastër në atë të dytë.
Edhe Cesc Fabregas lëshoi dy raste të mira, para se në fund të takimit Carles Puyol ta humbte njërin prej rasteve më të mira të takimit dhe Pedro Rodriguez ta godiste shtyllën.
Në anën tjetër, londinezët e shfrytëzuan rastin e parë të pastër. Pas një kundërsulmi, mesfushori Ramires pasoi tek Didier Drogba, i cili nga afërsia nuk dështoi. Ndodhi kjo në minutën e fundit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, ekipi i Roberto Di Matteos e ruajti me kujdes epërsinë e krijuar në 45 minutëshin e parë. Blues do të mundohen që pas një jave, në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në Camp Nou, ta mbrojnë rezultatin nga ndeshja e parë, kurse katalunasit do të tentojnë ta përmbysin rezultatin e mbrëmshëm, për të shkuar në finalen e Allianz Arenas.
Liga e Kampionëve
Gjysmëfinalja
Chelsea – Barcelona 1:0