E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa finalja Skenderbeu-Tirana

Skënderbeu dhe Tirana janë dy finalistet e edicionit të 60-të të Kupës së Shqipërisë. Dy skuadrat që momentalisht janë më të spikaturat dhe kanë kontingjentin më të mirë në vend, kanë mbyllur praktikën e kualifikimit në dy ndeshjet e kthimit gjysmëfinale, që si rrallë herë janë luajtur pa tifozë. Skënderbeu ruajti avantazhin e fitores 3-1 në ndeshjen e parë me Kastriotin dhe me sfidën kundër Flamurtarit në kampionat në mendje, ka dalë pa humbje nga fusha e Krujës. Rastet nuk kanë munguar për të dyja skuadrat, madje në këtë sfidë mund të ishin shënuar më tepër se një gol, megjithatë në fund rezultati final ishte 0-0. Kjo edhe për meritë të portierit Orges Shehi, që mbante shiritin e kapitenit, i cili në minutat e fundit të takimit ka realizuar disa pritje të shkëlqyera, ndërsa “gardiani” ka qenë edhe me fat në rastin e traversës së Alikajt. 

Ndërkohë, në gjysmëfinalen tjetër Tirana paraqitej në “Qemal Stafa” me sigurinë e fitores 3-0 në ndeshjen e parë në Vlorë, megjithatë kundër Flamurtarit, tekniku Hulian Rubio nuk i ka kursyer lojtarët. Të kundërtën ka bërë trajneri Muça, i cili përdori rotacionin, duke shplodhur elementët kyç, por kjo nuk bënte që kuqezinjtë të ishin të dorëzuar. Përkundrazi, vlonjatët kanë menduar edhe përmbysjen e madhe, megjithatë goli i shpejt i Cikalleshit preu ëndrrën e tyre. Miqtë arritën të barazonin me Pejiç në të 21-tën, megjithatë bardheblutë u kundërpërgjgijën menjëherë me Ferrajn, vetëm 8 minuta më pas, që kaloi sërish Tiranën në avantazh. Barazimi final 2-2 u vulos në të 79-ën nga goli i Pezos për Flamurtarin, ndërsa Tirana u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 5-2. 

Tashmë Skënderbeu dhe Tirana do të përballen në finalen e 17 majit, për të përcaktuar se cila do të jetë fituese e Kupës së Shqipërisë. Korçarët kualifikohen për të katërtën herë në finale, ku do të tentojnë të fitojnë Kupën e parë në histori, ndërsa në anën tjetër, bardheblutë e kanë fituar 14 herë këtë trofe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›