E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea në finalen e FA Cup

Chelsea arrin finalen e tretë në katër edicionet e fundit të FA Cup, pasi ka shkatërruar 3-0 Aston Villa në Uembley. Didier Drogba, Florent Malouda dhe Frank Lampard, kanë realizuar golat për londinezët, që vazhdojnë të jenë në garë për dy trofetë.

Villa e ka filluar mirë ndeshjen, madje ka pretenduar për një 11 metërsh në pjesën e parë, kur Gabriel Agbonlahor është penguar brenda zonës. Skuadra e Ancelotti ka ndryshuar ritmin në 45 minutat e dyta dhe Drogba, golshënues në të 5 ndeshjet e Kupës për Chelsean në Uembley, ka shënuar në minutën e 67. Presioni i Villa ka marrë fund në të 89, kur blutë shënojnë edhe golin e dytë. Malouda ka mposhtur portierin kundërshtar me një goditje të saktë, ndërsa në minutat shtesë, me Aston villa krejt të dorëzuar, Lampard vulos rezultatin me golin e tretë.

Skuadra e Martin O'Neill krijoi volum loje dhe raste për shënim, por Chelsea arriti të sigurojë finalen e Uembley në 15 Maj. Pas dështimit në kampionat 7-1 në Stamford Bridge, për Aston Villa vjen një tjetër disfatë e rëndë, përballë skuadrës së Ancelottit, që kryeson kampionatin dhe kërkon triumfin e parë të dyfishtë nën drejtimin e bluve.

Eno Skarço < I mëparshmi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›