E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore për konfirmim

Besa do të përballet sërish me Prishtinën të dielën në Pejë, në kuadër të xhiros së 23-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Bardhekaltrit patën pësuar disfatë në Pejë pikërisht nga Besa, në xhiron e parë të stinorit pranveror me rezultat 3:1. Pejanët synojnë ta bëjnë të njëjtën gjë ndaj prishtinasve edhe të dielën me qëllim që denjësisht ta vazhdojnë luftën për titullin e kampionit bashkë me Trepçën, Hysin dhe disa ekipe tjera.

Skuadra e Genc Hoxhës po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme në këtë pranverë, pasi në pesë xhirot e para të këtij stinori ende nuk ka pësuar humbje, duke fituar në tri takime, kurse i ka nxjerrë dy barazime dhe atë si mysafire e Hysit dhe e Trepçës, ekipe këto që me ngulm po e ndjekin titullin e kampionit.

Aktualisht, Besa është në vendin e dytë në tabelë me 36 pikë, dy më pak sesa kryesuesi Trepça. Andaj, Genc Hoxha thotë se skuadra e tij synon ta mposhtë Prishtinën me qëllim që ta presë një gabim eventual të Trepçës për t’ia rrëmbyer pozitën e parë.

“Besoj që kemi kapacitet për të fituar sikur në ndeshjen e kaluar me Prishtinën. Jemi të kompletuar dhe ekipi im është i motivuar shumë. Mendoj se do të jetë ndeshje e fortë dhe e bukur, sepse edhe Prishtina e ka përmirësuar shumë formën e saj. Megjithatë, besoj se skuadra ime do të dalë fituese”, deklaroi Hoxha për Express.

Në anën tjetër, Prishtina në këtë takim do të mundohet të luajë dukshëm më mirë ndaj Besës, krahasuar me përballjen e fundit të saj me ekipin pejan, megjithëse ka disa mungesave të lojtarëve.

“Besa po tregon formë të mirë dhe lojëra të mira. Brenda një periudhe të shkurtër kohore do të takohemi dy herë ndaj Besës. Kësaj radhe udhëtojmë me mungesa, por shpresoj që atyre që do t’u jepet rasti do ta tregojnë veten dhe nga Peja të kthehemi të pamposhtur. Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit, atëherë besoj në rezultat pozitiv. Kësaj here besoj se do të luajmë më ndryshe se në takimin e fundit me Besën”, ka pohuar kryetrajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi, i cili në këtë takim nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Behar Maliqit e Besnik Krasniqit të suspenduar dhe në Astrit Fazliun e lënduar.

Kurse lideri aktual, Trepça, në shtëpi e pret Ferizajn, derisa kandidati tjetër për titull, Hysi, do të ballafaqohet me Kosovën e Vushtrrisë, skuadër kjo që po lufton për ekzistencë. Ndërsa dy ekipet tjera të rrezikuara, Gjilani e Vëllaznimi do të luajnë si mysafirë të Flamurtarit, përkatësisht Lirisë.

Superliga – Xhiroja e 23-të

E diel
Trepça – Ferizaj
Besa – Prishtina
KEK-u – Drenica
Hysi – Kosova (V)
Liria – Vëllaznimi
Flamurtari – Gjilani
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›