E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea, për titull

Andre Villas-Boas pati një javë magjike me Chelsean. Së pari e siguroi të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Valencian, ndërsa të hënën ia doli t’ia shkaktojë Manchester Cityt humbjen e parë të sezonit në Premierligë.

“Jam mjaft i kënaqur me javën që patëm. Ishte një fitore e mirë për lojtarët. Kur gjendeshim në disavantazh, gjërat u vështirësuan. Mirëpo, ne patëm besim dhe motiv, duke e kthyer rezultatin. Shfaqëm qëndrim dhe karakter të duhur”, deklaroi trajneri portugez.

Kjo fitore e afron ekipin londinez në shtatë pikë, ndaj liderit City, gjë që ka bërë që ‘Blues’ ta ndjekin titullin e kampionit. Për këtë është i bindur vetë trajneri portugez.

“Shtatë pikë nuk janë asgjë në ligë, me disa ekipe që luftojnë për titull. Manchester City, Tottenham dhe Liverpool, janë të fortë dhe solid, ndërsa Arsenali është duke u kthyer nga ‘vdekja’, dhe i ka shtuar gjasat për titull. Andaj, ato do të luajnë në mes vete dhe ne mund të përfitojmë”, vazhdoi ish trajneri i Portos.

“Man City do të luajë me Arsenalin javën tjetër, ne luajmë me Tottenhamin. Diçka do të ndodh. Ne do ta synojmë titullin dhe për të qenë më konkurrues, duhet të kemi rezultate të mira në dhjetor, dhe të shohim se ku jemi në janar”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›