E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i basteve godet Shqipërinë

Futbolli shqiptar është goditur nga një skandal tjetër i basteve. Sipas një raporti të UEFA’s, të paktën 12 ndeshje të sezonit të kaluar janë kurdisur nga ekipet e kampionatit shqiptar. Zyrtarë të FSHF’së thonë se bëhet fjalë vetëm për dyshime dhe nuk ekzistojnë fakte konkrete.

Dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në kampionatin shqiptar tani nuk mund të konsiderohen vetëm si të tilla. UEFA ka dhënë alarmin për kurdisje rezultatesh në kategorinë superiore, përmes një analize të hollësishme dhe zyrtare të çdo ndeshjeje.

“Top Channel” disponon një pjesë të raporteve konfidenciale të UEFA-s sa i përket shitjes dhe manipulimit të ndeshjeve dhe rezultateve në kampionatin shqiptar. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve (BFDS), është një nga sitat kryesore të të gjitha takimeve në të gjithë kampionatet evropiane.

Ky sistem monitoron paratë e vendosura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjen e koeficienteve, që sipas specialistëve, sjell përcaktimin përfundimtar, nëse një ndeshje është fiksuar apo jo.

Jo vetëm kaq, por edhe çdo lëvizje në fushë, karton i verdhë, karton i kuq dhe çdo aksion monitorohet dhe analizohet për të dhënë një pasqyrë sa më të plotë të panoramës së takimeve të trukuara.

“Top Channel” ka mundur të sigurojë analizat e UEFA-s për 12 ndeshje të sezonit të kaluar të superiores shqiptare dhe vetëm një të këtij sezoni. Sipas raporteve të UEFA-s, analizat për këto ndeshje tregojnë se ato janë të dyshimta.

Pesë ndeshjet e javës së 29-të të Superligës së Shqipërisë të sezonit të shkuar kanë rezultuar të kurdisura. Ndeshjet e zhvilluara më 20 prill 2011 janë: Skënderbeu-Laçi 2-0, Flamurtari-Dinamo 6-2, Besa-Kastrioti 3-2, Elbasani-Teuta 2-4 dhe Bylis–Shkumbini 2-0. E vetmja sfidë e asaj jave, që i ka shpëtuar marrëveshjes është Vllaznia-Tirana.

Ndërsa në raportet e UEFA-s janë 7 ndeshje të tjera të sezonit të kaluar. Më 12 mars 2011, Dinamo-Elbasani 3-1; 1 prill 2011, Laçi-Elbasani 3-1; 15 prill 2011, Dinamo-Skënderbeu 2-3, po në këtë datë Tirana-Elbasani 6-1; më 19 mars 2011, Elbasani-Bylis 0-2, më 24 prill 2011, Shkumbini-Besa 2-2 dhe më 25 prill Kastrioti-Teuta, 3-1.

Raporti i përcakton këto ndeshje si të kurdisura, madje edhe me rezultat të saktë. Kurse sa i përket ndeshjes së këtij sezoni, bëhet fjalë për atë që prokuroria ka filluar të lëvizë, ndeshja Kastrioti-Vllaznia 2-1 e luajtur më 2 tetor 2011.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani, ka thënë se bëhet fjalë vetëm për dyshime dhe nuk ekzistojnë fakte konkrete, duke mohuar se ndeshjet e kampionatit shqiptar janë të kurdisura.

Historia e kurdisjeve të ndeshjeve nuk është e panjohur, është një temë e debatuar shpesh, por gjithçka ka mbetur vetëm në disa deklarata apo diskutime në media. Gjithmonë debatet janë mbyllur me fjalinë se mungojnë provat.

E ndërsa organizmat shqiptarë kanë qenë të pazotë për të zbuluar skandalin e basteve, UEFA ka sjellë së fundi jo një, por dhjetëra prova, raporte dhe analiza, që mbyllen me konkluzionet për manipulimin e superiores shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›