E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea shet yje

Nga Express më 05 shkurt 2011 në ora 12:34

Chelsea është duke u përgatitur për spastrime në ekip, për të ndihmuar pagesën e përforcimeve të reja të ardhura gjatë afatit kalimtar të janarit, Fernando Torres dhe David Luiz.

Lajmi më tronditës është ai se sulmuesi Didier Drogba do të jetë në mesin e yjeve që priten të largohen nga klubi në fund të këtij sezoni për të mbuluar 75 milionë funtet e shpenzuara gjatë janarit, ka njoftuar tabloidi anglez The Sun të premten.

Florent Malouda, Jose Bosingwa, John Obi Mikel dhe Yuri Zhirkov po ashtu pritet të largohen nga Stamford Bridge në atë që do të jetë eksodi më i madh në klub prej kur Roman Abramovich mori kontrollin. Një burim i afërt me klubin konfirmoi për The Sun: “Do të jenë disa sakrifica”. Ky mund të jetë edhe rezultat i asaj se Chelsea synon të balancojë bilancin para fuqizimit të rregullave të reja të UEFA-s për fer-plej financiar. Chelsea së fundmi njoftoi për humbje vjetore prej 70.9 milionë funtesh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›