Guximi i Van Gaalit

Ish sulmuesi i Bayern Munichut, Luca Toni ka treguar si trajneri Louis van Gaal njëherë dëshmoi guximin e tij për të lënë cilindo prej yjeve jashtë ekipit duke hequr pantallonat.
Pas transferimit në Bayern nga Fiorentina më 2007, Toni, 33 vjeç, ishte golashënuesi më i mirë i gjigantit bavarez në sezonin e tij të parë, kur realizoi 24 herë në 31 ndeshje në Bundesligë.
Bayerni e fitoi titullin. Por, ai luajti vetëm katër ndeshje nën drejtimin e Van Gaalit para se të transferohej te Roma gjatë afatit kalimtar të janarit 2010 dhe nuk ishte njëri prej futbollistëve titullarë të trajnerit holandez.
“Van Gaal thjesht nuk deshi të punonte me mua, ai i trajton futbollistët si objekte shkëmbimi”, shtoi Toni i cili nga muaji i kaluar i është bashkuar Juventusit.
Italiani i tregoi magazinës gjermane Sport Bild se gjatë kohës që kaloi në Bayern Munich, Van Gaal u dëshmoi yjeve të ekipit, përfshirë holandezin Arjen Robben, gjermanëve Philipp Lahm dhe Bastian Schweinsteiger, se kishte guxim ta lërë cilindo prej tyre jashtë formacionit bazë.
“Trajneri deshi të na bëjë të qartë se mund ta lërë jashtë ekipit cilindo futbollist, ishte gjithçka njësoj për të, sepse ai tha se kishte toptha. Ai madje e demonstroi këtë duke i hequr pantallonat. Kurrë nuk kam parë diçka të atillë, ishte thjesht e çmendur. Fatmirësisht nuk kam parë shumë, sepse nuk isha në radhën e parë”, vazhdoi ai.
Toni nuk është ish futbollisti i parë i Bayernit që kritikoi Van Gaalin, pasi edhe kapiteni i mëparshëm Lucio kishte thënë se trajneri holandez ishte arsyeja kryesore për largimin e tij nga klubi në korrik të vitit 2009.
“Van Gaal më lëndoi më shumë se kushdo tjetër në futboll”, tha mbrojtësi brazilian Lucio, i cili sezonin e kaluar fitoi Ligën e Kampionëve me Interin, duke mposhtur në finale pikërisht Bayernin e Val Gaalit me rezultat 2-0.
Van Gaal ishte kritikuar në tetor edhe nga presidenti i Bayernit, Uli Hoeness, për ashpërsi në punën e tij, ndërsa ish kapiteni Mark van Bommel u largua nga klubi papritmas gjatë javës së kaluar duke iu bashkuar Milanit, pas spekulimeve se e kishte të vështirë të punonte me Van Gaalin.
Por, të mërkurën, zyrtari i lartë i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, e përkrahu Van Gaalin, duke insistuar se holandezi është pikërisht ai që i nevojitet gjigantit bavarez. Van Gaal ka kontratë me Bayernin deri në korrik të vitit 2012.