Mascherano kritikon Liverpoolin për Torresin

Javier Mascherano ka kritikuar Liverpoolin dhe thotë se është e “pikëlluar” mënyra se si Fernando Torres u desh të largohej nga klubi.
Spanjolli u largua nga Anfield të hënën, duke iu bashkuar Chelseas në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit. Por, Mascherano beson se largimi i sulmuesit ishte ballafaquar keq, njësoj si në rastin e tij kur iu bashkua Barcelonës në verën e vitit të kaluar.
“Nuk isha i befasuar nga ajo që ndodhi me Fernandon. Kur unë jam larguar nga Liverpool, dukej sikur kam vrarë dikë. Është e pikëlluar që njerëzit që kanë bërë diçka të rëndësishme për klubin duhet të largohen nga dera e pasme”, tha Mascherano gjatë një konference për shtyp.
“Është e pikëlluar që mediet dhe klubi mundohen të bindin njerëzit se e tëra është faj i futbollistit, kur në realitet Liverpool nuk tregoi interesim për qëndrimin tonë në klub. Futbollistët më të rëndësishëm nuk u larguan nga klubi në mënyrën e duhur. Kam biseduar me Fernandon dhe i kam thënë atij se nuk duhet të brengoset, sepse ka bërë atë që është më së miri për klubin. Edhe pse ai nuk fitoi tituj, ishte futbollist shumë i rëndësishëm i cili i ndihmoi ekipit në çdo moment”, përfundoi Mascherano.