E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea s’ka sekrete

Derisa Jose Mourinho përgatitet të takohet me ish klubin e tij, Chelsea, trajneri i Interit me siguri se ndihet sikur do të kthehet në shtëpinë e tij të vjetër, që gjërat janë pothuajse njësoj siç i kishte lënë ai.

Ndryshimet e vogla në Stamford Bridge prej largimit të tij në shtator 2007, Mourinho i vërejti gjatë një vizite të tij të fundit në Londër.

Pak pasi kampioni i Italisë ishte tërhequr si kundërshtar i Chelseas në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, Mourinho u kthye në Stamford Bridge për herë të parë për të shikuar fitoren e Blues ndaj Fulhamit 2-1. 47 vjeçari ishte goditur nga ndjenja e një ‘deja vu’.

“Herën e fundit kur kam qenë atje kam shikuar të gjitha detajet me vëmendje”, tha ai gjatë një interviste me ueb faqen zyrtare të UEFA-s.

“Edhe ngrohjet janë ato që i kemi bërë në kohën time. Mënyra si mbrohen në ndërprerje janë po ashtu të njëjta. Pozita që marrin në ndërprerje është e njëjtë.

Nganjëherë ata luajnë në 4-4-2 në romb, ndërsa nganjëherë 4-3-3, që ishin formacione në të cilat kemi punuar kur kam qenë atje”, shtoi ai. Avram Grant, Luis Felipe Scolari, Guus Hiddink dhe tani Carlo Ancelotti të gjithë kanë përcjellë hapat e Mourinhos në Stamford Bridge.

Trajneri portugez nuk dëshiron të tregojë mungesë respekti kur thotë se sheh ngjashmëri në ekip, të cilin e udhëhoqi drejt dy titujve në Premierligë dhe një gjysmëfinaleje në Ligën e Kampionëve gjatë qëndrimit trevjeçar në klub.

“Mendoj se është kualitet i një trajneri të mirë – dhe Ancelotti është trajner i mirë – të kuptojë se si ndihen më së miri futbollistët. Dhe në vend se të bëhen ndryshime të gabuara, mbahet ritmi i mirë që është i zakonshëm në ruajtjen e strukturës fituese. Mendoj se Ancelotti është trajner shumë i mirë dhe ekipi ndihet mirë me të. Ekipi është i fortë – njëri prej ekipeve më të mira në botë”, u shpreh ai.

Chelsea mund të mos ketë sekrete për Mourinhon, por ai pranon se një ngjashmëri e tille më një kundërshtar mund të jetë thikë me dy tehe.

“Kur shikoj ekipin vetëm Ivanoviç dhe Anelka nuk janë futbollistë nga koha ime. Të gjithë djelmoshat e tjerë: Cech, Carvalho, Terry, Ashley Cole, Essien, Mikel, Drogba, Malouda, Joe Cole, Kalou, të gjithë janë djelmosha nga koha ime. Andaj është ekip i cili nuk ka sekrete për mua. Por, në të njëjtën kohë mendoj se unë jam trajner pa sekrete për ta. Nuk do të jetë lehtë për mua, por mendoj se nuk do të jetë lehtë as për ata. I njoh ata, por edhe ata më njohin mua. E di se si luajnë, mënyra si mendojnë, por në të njëjtën kohë ata e dinë se si punoj dhe mënyrën si e përgatis ekipin”, vazhdoi ai.

Përveç titujve që fitoi në Porto, Chelsea dhe tani në Inter, Mourinho mban një rekord të jashtëzakonshëm në ndeshjen si nikoqir. Ekipet e tij nuk janë mposhtur në shtëpi në ndeshje kampionate për tetë vjet, nga humbja 3-2 e Portos nga Beira-Mar më 23 shkurt 2002.

Një tjetër rezultat pozitiv në Giuseppe Meazza në takimin e parë më 24 shkurt do ta linte Interin në pozitë të mirë për ndeshjen e kthimit.

“Në shtëpi kurrë nuk luaj për barazim, kurrë. Gjithmonë luaj për fitore. Nuk ndiej presion rreth kësaj. Një ditë do të humb dhe kur të vjen ajo ditë, do të jem i lumtur të them: ‘Nuk kam humbur në shtëpi për x vite, nuk kam humbur në shtëpi për x ndeshje”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›