Chelsea triumfon në FA Cup

Chelsea kaloi në epërsi në minutën e 11-të nëpërmjet mesfushorit Ramires. Skuadra e Roberto Di Matteos e dominoi lojën kurse në minutën e 52-të e dyfishoi avantazhin pas shënimit nga Didier Drogba.
Ky ishte goli i tetë i reprezentuesit të Bregut të Fildishtë në tetë paraqitje në Wembley për Chelsean. Ai po ashtu u bë futbollisti i parë që realizoi në katër finale në FA Cup. Liverpool u mundua të kundërpërgjigjet dhe e bëri këtë shumë shpejt.
Zëvendësuesi Andy Carroll ngushtoi epërsinë në 2-1 duke shënuar nga afërsia në minutën e 64-të. Skuadra e menaxherit Kenny Dalglish u vërsul në sulm në kërkim të barazimit dhe ishte shumë afër arritjes së qëllimit kur në minutën e 81-të, Carroll goditi me kokë por portieri Petr Cech bëri një pritje sensacionale pas së cilës topi goditi transversalen. Chelsea rezistoi, dhe në fund festoi trofeun.