Cheney: SHBA rrezikojnë nga sulmet terroriste
Uashington - Ish zevendëspresidenti amerikan, Dick Cheney, ka deklaruar se beson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të goditen nga një sulm biologjik ose bërthamor nga terroristët. Në një intervistë për revistën “Politico”, ai ka thënë se druan që politikat e administratës së presidentit Obama do ta bëjnë edhe më të lehtë kryerjen e një sulmi të tillë. Ish-numri dy i Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se ka frikë të përsëritjes së një sulmi të ngjashëm me atë të 11 shtatorit, duke shtuar se politika e ish-presidentit Bush e ka mbajtur të sigurt Amerikën. Cheney ka folur edhe për burgun e Guantanamos, duke shtuar se marrja në pyetje e të burgosurve ka parandaluar përsëritjen e sulmeve. Ai ka theksuar se mbi 200 të burgosurit e atjeshëm janë ende kërcënim i konsiderueshëm për SHBA-në.