E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti suspendon futbollin

Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 12:44

Autoritetet në Egjipt kanë suspenduar futbollin në afat të pacaktuar deri në “rikthimin e stabilitetit” në vendin e goditur nga protestat e dhunshme.

Federata e Futbollit të Egjiptit (EFA) nëpërmjet një komunikate ka njoftuar për shtyrjen e të gjitha ndeshjeve në të katër divizionet profesionale si dhe garat e të rinjve e juniorëve. Xhiroja e 16-të e Premierligës egjiptiane ishte anuluar javën e kaluar, pas protestave antiqeveritare në Kajro dhe qytetet e tjera.

EFA reagoi pas kërkesës nga autoritetet e sigurisë pas demonstratave në mbarë vendin. Protestuesit kanë intensifikuar kampanjën e tyre për largimin e Presidentit Hosni Mubarak pas regjimit 30-vjeçar, ndërsa grupet pro dhe kundër Mubarakut janë duke u përleshur në rrugët e kryeqytetit.

Të hënën, SHBA-ja anuloi një ndeshje miqësore me Egjiptin që ishte caktuar për 9 shkurt në Kajro. Federata e Egjiptit tha se do të këshillohet me Federatën amerikane për caktimin e një tjetër date për ndeshje. Në dyshim është edhe ndeshja kualifikuese për Ligën e Kampionëve të Afrikës, duke përfshirë klubin nga Kajroja, Zamalek. Ndeshja e kthimit kundër Ulinzisit nga Kenia është caktuar për 13 shkurt. Zamalek fitoi takimin e parë 4-0 të shtunën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›