Platinit i pëlqen Mourinho

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka thënë se adhuron Jose Mourinhon, pavarësisht komenteve të “marra” që ka bërë trajneri i Real Madridin për rivalin e tij nga La Liga, Barcelona.
Strategu portugez u dënua për tri ndeshje nga UEFA pas deklaratave në ndeshjen e parë të eliminimit nga Barcelona në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, kur kishte thënë se gjiganti katalan favorizohet nga Federata evropiane e Futbollit dhe gjyqtarët.
Ai po ashtu është gjobitur me 50 mijë euro. Por, Platini ka pranuar se admiron 48 vjeçarin, i cili është ankuar ndaj dënimit dhe rasti i tij do të shqyrtohet në një seancë dëgjimore më 29 korrik.
“Kam admirim të veçantë për të. E adhuroj Mourinhon”, tha Platini për të përditshmen sportive spanjolle Marca të enjten.
“Më pëlqen si njeri. Personaliteti i tij dhe puna si trajner. Por, kjo nuk e përjashton faktin se organet disiplinore të UEFA-s do të merren me të. Ai ka thënë gjëra të marra dhe për këtë arsye ka vepruar Komiteti Disiplinor dhe ka vendosur ta sanksionojë atë”, shtoi kreu i futbollit evropian.
Platini insistoi se ai nuk ishte drejtpërdrejt i përfshirë në procesin disiplinor, që u përcoll me suspendimin e Mourinhos nga gara elite e klubeve evropiane.
“E di se ju në gazeta keni shkruar ose do të shkruani se Platini ka intervenuar (në suspendim). Nuk është e vërtetë. Nuk merrem me çështjet disiplinore ose gjyqtarët. Por, kjo nuk më parandalon ta pëlqej. Gjatë karrierës time si futbollist ka pasur gjyqtarë me të cilët kisha marrëdhënie shumë të mira dhe ata sërish më ndëshkonin me karton të verdhë. Babai im më godiste kur bëja ndonjë sherr si fëmijë dhe e bënte këtë sepse më dashuronte”, përfundoi Platini.
Deklaratat e Mourinhos dhe akuzat e tij ndaj UEFA-s, se favorizon Barcelonën, erdhën pas fitores së gjigantit katalan me rezultat 2-0 në Santiago Bernabeu. Ndeshja e kthimit përfundoi në barazim 1-1, që dërgoi ekipin e Pep Guardiolas në finale, ku më pas mposhti Manchester Unitedin me rezultat 3-1 dhe ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve në Wembley.