E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturimi i energjisë, vetëm 10 për qind e qytetarëve bëjnë ankesa në OSSH-ë



Nga rreth 1 milion abonentë (konsumatorë) të energjisë elektrike të llogaritur në shkallë vendi, të regjistruar në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, vetëm 800 prej tyre janë ankuar për probleme të faturimit të pasaktë të energjisë. Nisur nga kjo shifër, del që vetëm 10 për qind e abonentëve të OSSH-së kanë të bëjnë me probleme në faturimin e energjisë. Ose të paktën vetëm kjo shifër i përket asaj pjesë që merr kurajën qytetare të ankohet për një padrejtësi që i kanë bërë. E thënë ndryshe, rreth 9 mijë qytetarë kanë ankimuar çështje të ndryshme gjatë tre muajve të parë të këtij viti pranë zyrave të OSSH-së. Nisur nga kjo situatë, OSSH-ja do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë me konsumatorët, nëpërmjet një fushate sensibilizuese. Një pyetësor për çdo familje dhe biznes do të vlerësojë punën e OSSH-së në çdo aspekt, që ka të bëjë me konsumatorin, duke nisur nga cilësia e furnizimit, deri tek mënyra e faturimit. “OSSH-ja, së shpejti do të bëjë prezent bashkë me faturën e energjisë elektrike të muajve pasardhës edhe një pyetësor i cili kërkohet të plotësohet nga abonentët me ato ankesa dhe vërejte apo informacione që kërkon të përcjelli abonenti në drejtim të kompanisë. Ky informacion është i rëndësishëm edhe për të vlerësuar punën e punonjësve dhe për të marrë masa dhe përmirësuar shërbimin ndaj klientëve”- u shpreh Ilirjan Shkëmbi, drejtor i Shitjeve në OSSH-ë. Por përveç pyetësorit, OSSH-ja lë të hapur për të gjithë konsumatorët mundësinë që për çdo shqetësim që ata kanë, të paraqesin ankesa me shkrim pranë drejtorive zonave.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›