E Diel, 1 Nëntor 2026

"Chrysler" i dorëzon "çelësat" FIAT-it, tani një kompani e vetme

FIAT-i italian është pronari
i ri i pjesës më të
madhe të aseteve të
"Chrysler". Kjo marrëveshje
u përfundua dje dhe
shërbeu për të shpëtuar kompaninë
problematike amerikane
të prodhimit të makinave
nga likuidimi. Në kontratën e
firmosur dje, kompania e re e
krijuar ndodhet në duart e shefit
të FIAT-it. Marrëveshja i hap
rrugën një grupi të ri "Chrysler
Group LLC", që do të dalë nga
gërmadhat e falimentimit. Shefi
ekzekutiv i FIAT-it, Serxhio Marchionne,
u emërua menjëherë
shefi ekzekutiv i kompanisë
së re. Në deklaratën e parë në
një pozicion të tillë, ai deklaroi
se do të rihapte shumë shpejt
të gjitha fabrikat e "Chrysler",
që u mbyllën gjatë procesit të
falimentimit dhe që i kushtuan
kompanisë një humbje prej 100
milionë dollarësh në ditë. Kompania
e re do të përqendrohet
në makina me përmasa më të
vogla, zë që ka qenë gjithnjë
problematik për "Chrysler".
Kompania italiane nuk do të
fusë asnjë qindarkë në këtë
marrëveshje të re, por do t‘i
ofrojë "Chrysler" teknologjinë e
përshtatshme dhe të duhur për
makinat e formatit të vogël. "Ne
kemi në plan që të marrim nga
‘Chrysler‘ kulturën e novacionit
dhe t‘i ofrojmë teknologjinë
shtesë të FIAT-it në ndërtimin
e makinave të përmasave të
vogla", deklaroi shefi ekzekutiv,
Marchionne. Kjo shitje përbën
sukses për administratën e Presidentit
amerikan Obama, që
pranoi falimentin e "Chrysler"
në muajin prill, me shpresën
se kompania do t‘ia arrinte që
të gjente një partner të ri për të
rilindur dhe vazhduar biznesin
duke mbyllur problemet. Për
shefin e ri ekzekutiv, situata
e krizës nuk është e re. Pesë
vjet më parë ai mori në duart
e tij një FIAT thuajse në prag
të falimentimit dhe arriti që ta
shndërronte në sukses të vërtetë
ndërkombëtar. Të njëjtën
gjë ai synon që të bëjë edhe me
kompaninë e re të sapokrijuar.
"Ne e ribëmë FIAT, duke e
shndërruar nga një kompani
në prag të falimentit në një
kompani me fitime të mëdha,
me teknologji të përparuar, me
produkte shumë konkurruese
në treg", deklaroi Marchionne.
Shitja e "Chrysler" dhe kalimi
i saj nga falimenti në pjesë të
një kompanie të re u ndihmua
shumë edhe nga administrata
e Obamës dhe nga task-forca
e ngritur prej saj me rastin e
krizës së industrisë së makinave.
Sipas marrëveshjes së re,
FIAT-i do të ketë 35 për qind të
aksioneve, duke kontribuar në
këtë ndërmarrje të përbashkët
me teknologji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›