E Diel, 1 Nëntor 2026

E fali Presidenti, Gjykata e Lartë e ridënon me 16 vjet burg

Policia e Rinasit ka arrestuar
një të dënuar për vrasje
menjëherë sapo ai është deportuar
nga shteti italian, ndërkohë
që një tjetër shqiptar është ekstraduar.
Ilmir Hajdari, i shpallur në
kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar
në mungesë me 16 vjet burg nga
gjykata, akuzohet për një ngjarje të
ndodhur në Shkodër në vitin 2001.
Por Hajdarin pas ankimimit, Gjykata
e Apelit e dënoi me 9 vite burg.
Duket se skandali u thellua, pasi në
vitin 2007, ai amistohet nga Presidenti
Bamir Topi. Historia nuk
mbyllet këtu. Gjykata e Lartë rrëzon
vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër
dhe lë në fuqi vendimin e
Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër,
e cila e kishte dënuar me 16
vite burg, duke bërë që dje shtetasi
Ilmir Hajdari të kthehet sërish në
qeli, edhe pse ishte falur më parë
nga Presidenti. Ndërsa personi i ekstraduar,
Dashamir Koka, është
dënuar me shtatë vjet burg për
trafik femrash me qëllim shfrytëzimin
e tyre për prostitucion. Sipas
dosjes penale për Hajdarin, ngjarja
ka ndodhur më 21 dhjetor të vitit
2001. Atë kohë, në lagjen "Partizani"
të qytetit të Shkodrës, ka pasur
shkëmbim zjarri me armë e për pasojë
është vrarë Indrit Bajri. Ngjarja
ka ardhur pas një konflikti të disa
ditëve më parë mes Ilmir Hajdarit
dhe viktimës Bajri, e në grindje e
sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin
e ishin ndarë të acaruar. Ditën e
ngjarjes Ilmiri, pasi kishte marrë me
vete Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin,
po udhëtonin në një
veturë. Të tre ishin të armatosur
me armë zjarri dhe po lëviznin nga
qendra e qytetit për në rrugën
kryesore, në drejtim të lagjes "Partizani",
ose siç quhet ndryshe në
Rus. Te kryqëzimi, pranë Shkollës
së Muzikës, në trotuarin pranë
restorantit "Podgorica", Ilmir Hajdari
vë re Indrit Bajrin dhe
anasjelltas. Ata reagojnë ndaj
njëri-tjetrit dhe Ilmiri qëllon në
drejtim të tij duke e lënë të vdekur
në vend. Më pas, ai arriti të arratiset,
por një vit më vonë kapet një
nga shokët e tij, i cili tregon për
policinë gjithë ngjarjen. Ndërsa për
ekstradimin e Dashamir Kokës, 33
vjeç, nga Durrësi, policia shpjegoi
se ai është dënuar me 7 vjet burg,
për kryerjen e veprës penale të
"shfrytëzimit për prostitucion në
rrethana rënduese". Nga hetimet
e kryera dhe shqyrtimi gjyqësor
rezultoi e provuar se, gjatë periudhës
kohore maj 2000 deri në
shkurt të vitit 2003, Dashamir
Koka, pasi ka blerë shtetasen moldave
A. D, nga shtetas të tjerë shqiptarë,
e ka trafikuar dhe shfrytëzuar
për qëllime prostitucioni në
territorin italian. Si rezultat i bashkëpunimit
të Interpol Tirana me
Interpol Romën më datën 1 tetor
të vitit 2008, u bë arrestimi i tij, për
t‘u ekstraduar drejt vendit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›