E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cicërojnë në Twitter

Pas Facebookut, këngëtarët kosovarë kanë gjetur edhe një vend tjetër për të komunikuar me adhuruesit e tyre. Është ky rrjeti social Twitter.com që renditet njëri prej rrjeteve të dyta sociale, por pas Facebook.com. Nga Ardian Jasiqi më 27 qershor 2011 në ora 12:56

Estradës i është mërzitur Facebooku. Pas disa faqeve për fansat e tyre, por edhe disa profileve të hapura nga vetë ato apo edhe nga ndonjë adhurues i tyre, tashmë ato e kanë gjetur prehjen diku tjetër. Në Twitter.

Kanë gjetur disa gazetarë që i kanë më shokë, ua kanë treguar llogaritë e tyre në këtë rrjet social dhe për t’u shitur më VIP dhe kinse si yje të Hollywoodit, tashmë lajmet e tyre, fotot, por edhe gjërat e tjera i shkarkojnë në Twitter.

Jo më shumë se gjashtë muaj më parë, estrada kosovare pak kishte ditur për këtë rrjet social. Aq më pak, ku asnjë prej tyre nuk kishte ndonjë profil në të dhe se kryesisht në Twitter lajmet për më të rejat i shkarkonin vetëm yjet e Hollywoodit.

Pasi u mësuan tashmë, shumica e tyre kanë profile në këtë rrjet, edhe pse nuk dihet se a janë personalisht të tyre.

Njëra prej tyre është Dafina Zeqiri. Këngëtarja nuk është më aktive në Facebook, por në Twitter është shumë. Ajo është në Australi dhe hiç më larg se në vikend ka thënë se është duke “u kënaqur në Australi”.

Në Twitter shpesh kanë shkruar edhe këngëtarët Nora Istrefi, Genta Ismajli dhe Altuna Sejdiu – Tuna, të cilat kanë cicëruar në Twitter nga Turqia, duke treguar për “thyerjet e tyre” në vendet turistike, kryesisht të bregdetit turk.
Por, Twitter kanë edhe motrat Ismajli, Zanfina dhe Adelina, të cilat ende janë aktive në Facebook dhe jo aq edhe në Twitter, duke postuar po ashtu të rejat më të fundit nga karriera e tyre.

Twitter ka edhe këngëtarja Leonora Jakupi, e cila po ashtu nuk është aktive sa është në Facebook, ku ka edhe faqen e saj të adhuruesve që ka më shumë se 60 000 fansa, ndërkaq prej meshkujve më aktivi në Twitter është Skillz dhe Ledri Vula, që me sa duket, është personi që më së shumti ka përvojë në këtë rrjet social.

Por, përderisa këngëtarët e estradës kosovare e përdorin Twitterin për të treguar kënaqësitë e tyre jashtë Kosovës, në Amerikë ai përdoret më shumë për gjëra të tjera. Sipas një statistike të Hollywood Reporter, Twitter më së shumti në SHBA përdoret nga VIP’at e Hollywoodit. Ata e përdorin atë për të treguar lindjen e ndonjë anëtari të ri të familjes, martesën e ndonjë çifti të Hollywoodit, si dhe lajmërojnë zyrtarisht shkurorëzimet apo prishjen e ndonjë lidhje. Për kënaqësitë, ata shfrytëzojnë xhirimet amatoreske me kamera që i transmetojnë nëpër kanalet e tyre në youtube.com dhe myspace.com dhe së fundi edhe në facebook.com.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›