Nuk mund ta refuzoja Napolin

Mungon vetëm zyrtarizimi, por Blerim Xhemajli e konsideron veten qysh tash lojtar të Napolit. Ish-mesfushori i Parmës e ka dhënë një intervistë për të përditshmen zvicerane, Blick, ku ka folur për impresionet e para.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane thotë se nuk mund ta refuzonte një ekip siç është Napoli, i cili do të luajë në Ligën e Kampionëve, sezonin që vjen.
“Si mund t’i thosha jo Napolit? Është një klub që do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve dhe më ka kërkuar me insistim të madh. Azzurrët për mua shfaqin një emocion unik”, ka thënë 25-vjeçari.
Ish-futbollisti i Boltonit e Torinos po kalon pushimet në Las Vegas. Pasi të kthehet, ai do t’i bashkohet ekipit të ri në fazën përgatitore. Xhemajli nuk do ta harrojë periudhën pozitive që kaloi në Parmë.
“Në Parmë kam kaluar mjaft mirë, por Napoli është tjetër muhabet. Tash dëshiroj të marr pjesë në kompeticione të rëndësishme. Shpresoj që bisedimet me Napolin të mbyllen pozitivisht. E kam telefonin gjithmonë të hapur, në pritje të lajmit nga menaxheri im. Do të paguaja, vetëm që kjo çështje të mbyllet”, vazhdoi Xhemajli.
Sipas mediave italiane, për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit shqiptar, drejtuesit e Napolit i kanë dhënë klubit të Parmës, 9 milionë euro plus gjysmën e kartonit të Santacroces e Blasit.