E Diel, 1 Nëntor 2026

Cico: Duhet hapur porta, rrezik cunami. Harasani: Jemi vonë. Prifti: Nuk ka panik

Situata e rënduar në Fierzë mund të ishte shmangur në rast se do të kishim një respektim të rregullores, që përcakton se kur duhet shkarkuar uji nga hidrocentralet. Në debatin e “Top Story” zhvilluar nga Sokol Balla në “Top Channel”, ministri i Energjetikës u përball me ekspertët dhe inxhinierët e fushës, ku thelbi i diskutimit ishte menaxhimi i duhur i kaskadës së Drinit. Ajo çka u theksua nga ekspertët ishte kujdesi që duhet treguar me portat e HEC-it të Fierzës, sidomos me tunelin numër 3, që konsiderohet më problematiku. Sipas ministrit Prifti, ndërhyrja në HEC është bërë në kohën e duhur, madje edhe kur nevojitej ngritja e grupit të punës. Debat pati edhe për zbatimin e një rregulloreje, hartuar më 1988-n dhe nëse nevojitet ndryshimi i saj. Inxhinieri i portave në Fierzë, Dhimitër Cico, hodhi alarmin e një cunami që vjen nga Veriu. Kurse ish-drejtori i KESH-it, Andis Harasani, bëri me faj qeverinë, e cila ndërhyri me vonesë, duke shkaktuar pasojat e ditëve të sotme me përmbytjet. Ish-zv.ministri i Energjetikës, Pajtim Bello, shtroi disa pikëpyetje rreth mënyrës sesi ka vepruar grupi i punës kur kuota në Fierzë arriti në 285 metra mbi nivelin e detit.
“Situata normalisht paraqitet e vështirë. Po menaxhojmë një situatë të shkaktuar nga moti me reshje shiu e bore dhe aspak të parashikuar nga ne, për shkak edhe të mungesës së teknologjisë. Sa u takon shkarkimeve të ujit nga Fierza dhe HEC-et e tjera mbi Drin, mund t’ju garantoj se kemi vepruar sipas rregullores që në muajin nëntor kur kuota nuk kishte vajtur ende në 285 metra”, tha ministri Dritan Prifti. Ai shtoi se shkarkime më të mëdha ka pasur në vitin 2004 dhe nuk pati shumë dëme e përmbytje. “Ajo çka ka ndodhur është fryrja e lumenjve rreth Shkodrës e Lezhës, ndikuar nga reshjet e shiut e borës, përfshi edhe baticat në det, të cilat nuk kishin ndodhur aspak në 10 vitet e fundit”, sqaroi Prifti.
Ish-zv.ministri Bello e riktheu debatin te zbatimi i rregullores, duke ngritur pikëpyetje sesi u respektua ajo dhe si u veprua kur kuota arriti në 285. “çfarë vendimesh u morën? Kur arrin 287 duhet pasur shumë kujdes. Nëse ka reshje dhe borë, atëherë merret një vendim i përbashkët për të shkarkuar ujë, që të mos shkohet te 290 metra mbi nivelin e detit”, tha Bello.
Duke vijuar me debatin mbi kuotat e Fierzës, të cilat dje regjistruan nivelin më kritik, ish-drejtori i KESH-it, Harasani, kërkoi ndryshimin e rregullores, e cila është hartuar në vitin 1988 dhe që tashmë gjen vështirësi për t’u zbatuar në kushtet e sotme. “Edhe në 2004-n u bënë gabime, të cilat po ripërsëriten. Berisha ka urdhëruar hapjen e porteve, duke krijuar përmbytje. Tjetër problem janë digat, të pasiguruara”, theksoi Harasani.
Më i drejtpërdrejtë ishte inxhinieri i portave në Fierzë, Dhimitër Cico, i cili u bëri thirrje popullatës përreth lumenjve që të largohen, pasi rrezikohet një cunam i paparashikuar. “Tuneli nr. 3 do hapet me dhunë, qoftë edhe me dinamit që të shpëtohet diga. Po nuk u hap tuneli nr. 3, uji kërcen mbi digë dhe katastrofa kthehet në cunam. Qeveria nuk ka vënë dorë për të parë mekanizmin e portave”, tha Cico. Por ministri Prifti ndërhyri, duke qetësuar se nuk do të ndodhë asnjë katastrofë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›