E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti italian i digave njihet me gjendjen

Situata emergjente në veri të vendit nga përmbytjet e mëdha sjell në Tiranë ekspertin italian të digave, Roberto Guercio, që njëkohësisht është edhe këshilltari i Kryeministrit Berluskoni. Profesori i Universitetit “La Sapienza” dhe kryekomisar i digave është njohur nga afër me situatën e paraqitur nga Ministria e Energjetikës. Pas takimit me dyer të mbyllua, ku mori pjesë ministri Prifti dhe zv.kryeministri Meta, eksperti Guercio theksoi faktin se situata në tërësi nuk paraqet problem. “Situata është kritike, por jo dramatike.
Strukturat e digave nuk paraqesin probleme strukturale. Nivelet e digave janë të larta, por janë poshtë nivelit maksimal. Ndërhyrja që ne po bëjmë shërben për të sjellë normalitetin brenda një kohe sa më të shpejtë”, tha ai pas takimit. Guercio, njohës i mirë i sistemit shqiptar energjetik, për shkak të lidhjeve me ekspertët tanë tha se nuk ekziston asnjë rrezik për sa i përket stabilitetit të digave. “Sigurisht ekzistojnë probleme kryesisht që kanë të bëjnë me menaxhimin e shkarkimeve. Këto menaxhime që kanë të bëjnë me rregulla të kodifikuara mund të përmirësohen me ndihmën e një mbështetjeje të mjeteve teknologjike, që mbrojtja civile italiane mund të ofrojë.
Kryeministri Berluskoni që më ka telefonuar sot (dje) në mëngjes, më është lutur që t’u komunikoj se Italia është pranë Shqipërisë për të mbështetur këtë fazë kritike, por jo dramatike”, tha kryekomisari italian i digave. Në bashkëpunim me teknikët italianë do të krijohet një grup permanent për të menaxhuar fazën e krizës, i cili nuk do ta përfundojë aktivitetin e tij vetëm për këtë situatë meteorologjike, por do të prodhojë një program aktiv investimesh për të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›