Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve: Baze u dëbua nga zyrat me urdhër të qeverisë
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë e pavarur jofitimprurëse që mbështet lirinë e shtypit në botë, botoi dje raportin për sulmet kundër gazetarëve gjatë vitit 2009 për vende të ndryshme. Lidhur me Shqipërinë, organizata përmend rastin e gazetarit Mero Baze, i cili u dëbua nga zyrat e tij në një ndërtesë shtetërore me urdhër të Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që, sipas zotit Baze, gazeta kishte një kontratë 20-vjeçare.
Raporti shton se gazetari Baze u rrah gjithashtu nga disa persona në një klub të Tiranës. Në një deklaratë për Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, zoti Baze ka akuzuar biznesmenin Rezart Taçi për sulmin ndaj tij, ndërkohë që zoti Taçi i ka mohuar akuzat në një deklaratë për të njëjtën organizatë. Për Kosovën, raporti vë në dukje kërcënimet me vdekje të bëra ndaj gazetares Jeta Xharra, shefe e BIRN-it në Kosovë dhe mesazheve për dhunë ndaj ekipit të saj të punës në programin “Jeta në Kosovë” në RTK. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve i shkroi një letër proteste kryeministrit Hashim Thaçi, duke i bërë thirrje qeverisë të hetonte kërcënimet dhe të mbronte gazetarët e BIRN-it në Kosovë.
Raporti, KQZ-ja pranon se ka pasur probleme në numërimin e votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në raportin vjetor për vitin 2009, i cili pritet t’i kalojë për votim Kuvendit, pranon problemet në procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Madje në këtë pikë, institucioni qendror për zgjedhjet kërkon rishikim të ndarjes së zonave zgjedhore për të lehtësuar, siç thonë ata, numërimin e përqendruar të votave. Problemet në procesin e numërimit të votave justifikohen nga KQZ-ja me bllokimin e pajustifikuar të komisionerëve dhe mosnumërimin pa shkaqe ligjore i disa qendrave të votimit. Në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it dhe në atë përfundimtar u konstatua se numërimi i keq i votave u vu re në 1/3 e qendrave të votimit. “Janë përmendur sigurisht problematikat që kemi pasur në numërim, bllokimi që është bërë, ndërhyrjet e Komisionit për t’i mbajtur nën kontroll dhe për t’i përfunduar me sukses numërimet”,- theksoi Ristani. Në raport përmendet gjithashtu dhe përdorimi për herë të parë i kamerave regjistruese. Sipas raportit të KQZ-së, kjo procedurë arriti të regjistronte çdo fletë votimi me transparencë në procesin e numërimit, edhe pse në këtë pikë, raporti i OSBE/ODIHR-it kishte rezerva në të shumtën e procesit. Raporti prej disa faqesh që do t’i dërgohet në fund të muajit Kuvendit përfshin vonesat e ardhura në ngritjen e komisioneve zgjedhore të administrimit për shkak të vonesave të kandidaturave nga forcat politike dhe vonesat e ardhura për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Lidhur me ankimimet e mbërritura nga subjektet politike, raporti 48-faqesh i KQZ-së përmend përciptazi kërkesat e partive, por nuk jep detaje përsa i përket kërkesës për dy anëtarë të KQZ-së mbi numërimin e votave, siç e parashikon dhe Kodi Zgjedhor.
18 Shkurt 2010