E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: “Berisha dhe Rama duhet të arrijnë një marrëveshje”



Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, në një intervistë dhënë për Dojçe Velen ka vënë theksin në domosdoshmërinë e zgjidhjes sa më parë të krizës politike në Shqipëri. Lohan është shprehur se në rast se nuk gjendet zgjidhja e krizës dhe në rast se vazhdon të mos funksionojë Parlamenti, Shqipëri nuk plotëson një nga kriteret parësore, që është kriteri politik. Për shkak të mosplotësimit të kriterit politik, Shqipëria rrezikon që të mos i nisë negociatat me Bashkimin Europian përsa i përket aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë e ka cilësuar një shans që u jepet dy krerëve kryesorë të partive në Shqipëri, kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama, tryezën e bisedimeve të iniciuar dhe drejtuar nga presidenti Topi. Sipas ambasadorit Lohan, dy liderët politikë shqiptarë, Rama e Berisha, duhet ta shfrytëzojnë këtë tryezë për të gjetur zgjidhjen e duhur për krizën politike në vend, në mënyrë që vendi të vazhdojë rrugën e reformave integruese në BE.

Zoti Lohan, dje presidenti Bamir Topi vazhdoi bisedimet me kryeministrin Berisha, liderin e opozitës Rama dhe me Ju, që kryesoni Delegacionin e BE-së në Tiranë, për të ecur drejt zgjidhjes së krizës politike 6-mujore në Shqipëri. Por, në përfundim, palët deklaruan përsëri të njëjtat qëndrime të kundërta lidhur me hapjen e kutive të votimit, që përbën kushtin e vetëm që opozita të kthehet në Parlament. Cili është opinioni juaj i deritanishëm? A jeni optimist në suksesin e këtij hapi politik?

Bashkimi Europian ka mirëpritur faktin që Presidenti ka thirrur një tryezë të rrumbullakët, të nisur të shtunën e kaluar, më 13 shkurt dhe që vazhdoi dje. BE-ja i konsideron të dyja raundet e bisedimeve të deritanishme si fillim të një procesi. Mendoj se nuk ka asnjë arsye për ta duartrokitur apo lavdëruar ndonjë hap të veçantë në këtë proces. Dialogu politik mes palëve nuk është si në një lojë tenisi ku çdo set komentohet nga dikush. Besoj se ky proces do të çojë në një zgjidhje të suksesshme brenda kohës së duhur.

Sa e rëndësishme është për Komisionin Europian zgjidhja e suksesshme e krizës? Në rast se, për fat të keq, ajo nuk gjendet pikërisht tani, para 4 marsit, ose 6 muajve që Kushtetuta njeh të drejtën e deputetëve opozitarë për të bërë betimin dhe për t'u futur në Parlament, a rrezikon ecurinë e procesit integrues europian?

Në fakt, nga këndvështrimi i KE-së, pyetja për të cilën duhet të marrë një përgjigje është: A e plotëson Shqipëria kriterin politik për anëtarësim në BE? Dhe është shumë e qartë që nëse Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të mos funksionojë si duhet edhe për një periudhë tjetër kohore, atëherë Shqipëria ndodhet përballë një rreziku të madh që Komisioni të mos ketë mundësi të rekomandojë hapjen e negociatave për pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Prandaj është e rëndësishme që për hir të interesit të integrimit europian të Shqipërisë, drejtuesit politikë të Shqipërisë të mos lënë të kalojë rastin e tryezës së rrumbullakët presidenciale për të hedhur hapa konkretë drejt gjetjes së një zgjidhjeje.

Ku e shihni mundësinë e konvergimit të qëndrimeve të kundërta të deritanishme të kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama?

Të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë kanë shpallur gjithmonë integrimin europian të vendit si një nga objektivat e tyre parësore, më të rëndësishme. Dhe vërtet ky objektiv ka qenë dhe mbetet forca e madhe lëvizëse që ka qëndruar dhe qëndron pas politikave të tyre. Prandaj mendoj se baza e ecjes drejt konvergimit të qëndrimeve të tyre të kundërta deri tani është perspektiva e integrimit europian të Shqipërisë. Kjo perspektivë është në mendjen e tyre gjatë gjithë kohës dhe sidomos në këtë situatë të veçantë.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›