E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, PS mbledh sot grupin e deputetëve



Sot grupi i deputetëve të Partisë Socialiste do të mblidhet për të mbajtur një qëndrim ndaj ofertës së djeshme të Kryeministrit Berisha për negociatat në zgjidhje të krizës. Ndryshe nga herët e tjera, kur grupi i deputetëve mblidhej vetëm një ditë para seancës të së enjtes, mbledhja e grupit pritet të ketë në qendër të saj mandatimin e kreut të grupit parlamentar socialist, për të biseduar me homologun demokrat për t'i dhënë fund negociatave për nisjen e hetimit të zgjedhjeve të shkuara. Ngritja e një komisioni të ri hetimor parlamentar, ku PS do të ketë shumicën dhe kreun e saj, sipas rezolutës së fundit të PE-së do të jenë në qendër të diskutimit të grupit të deputetëve socialistë. Por ende mbetet enigmë se si socialistët do të zgjidhin çështjen e fletëve të votimit, të cilat përjashtohen nga hetimi sipas rezolutës së PE-së. Fletët e votimit dhe djegia e tyre kanë qenë objekti që i ka mbajtur palët larg gjetjes së zgjidhjes së krizës, ndërsa rezoluta e PE-së qartësoi se hetimi duhet të përfshijë materialet zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›