E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e Dule në Greqi, takime me krerët e PASOK



Kryetari i opozitës, Edi Rama, ndodhet për një vizitë në Greqi, me ftesë të fondacionit "Andreas Papandreu", që mban emrin e themeluesit të PASOK, ku zhvillohet një forum lidhur me çështjet e politikës dhe ekonomisë. Edi Rama shoqërohet në këtë vizitë nga kryetari i PPDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputetët Taulant Balla e Fatmir Xhafaj. Rama zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të Pasok dhe Drejtorin e Përgjithshëm të partisë që sot qeveris Greqinë, Sokratis Ksinidis. Gjatë këtij takimi, Rama falënderoi krerët e PASOK për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Socialiste, por edhe kauzës së shqiptarëve për integrimin europian dhe liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër, kryetari Rama e cilësoi si një hap historik të drejtën e votës, që për herë të parë Qeveria e Papandreut ua siguron edhe emigrantëve shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi greke. Nga ana e tyre, drejtuesit e lartë të PASOK shprehën mbështetjen e tyre për Partinë Socialiste shqiptare dhe uruan që kriza politike dhe institucionale në Shqipëri do të mund të zgjidhet së shpejti përmes dialogut që ka në themel transparencën. Vizita e kryetarit Rama në Greqi është spostuar sot në ishullin grek të Poros, me ftesë të posaçme të Kryeministrit grek Papandreu, për të marrë pjesë në një takim të ngushtë mes drejtuesve të majtë europianë, takim ku marrin pjesë veç Kryeministrit Papandreu edhe nënpresidentja e Komisionit Europian, Baronesha Ashton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›