Rikthehen negociatat për krizën e kutive,PD mandaton Patozin për bisedime me Ruçin
ADI SHKEMBI
Maxhoranca mandaton kryetarin e grupit parlamentar, Astrit Patozi, për të negociuar me kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, lidhur me gjetjen e modaliteteve për daljen nga kriza. Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e grupit të PD-së se shumica është gati të pranojë ngritjen e një komisioni të dytë hetimor, ose edhe zgjatjen e afatit të komisionit aktual, për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Propozimi im është konkret z.Astrit Patozi ka mandat të plotë të takohet me z.Gramos Ruçi, ose me atë që do të ngarkojë PS, por ne ngarkojmë kryetarin e grupit të ulen të diskutojnë për konkretizimin e rezolutës dhe i garantoj opozitës, që ne kemi vullnet të plotë për zbatimin e saj”, tha kreu i Qeverisë. Sipas tij “nëse ata kërkojnë ta riformulojnë komisionin të ulen dhe ne nuk kemi kundërshtim. I gjithë ky proces ka faktuar në mënyrë të qartë se në këtë vend është e mundur transparenca dhe funksionimi i shtetit ligjor plotësisht, nëqoftëse ekziston vullnet nga Partia Socialiste dhe unë nuk kam pse ta vë në dyshim. Urdhëroni të ulet zoti Ruçi dhe mundësisht t’i kërkojmë ne takim, po të duan le të amendojmë komisionin ekzistues, po të duan le ta ngrenë sërish”. Para deputetëve, kreu i demokratëve konfirmoi qëndrimin për t’i lënë opozitës shumicën e komisionit hetimor dhe drejtimin e tij. Berisha u shpreh i gatshëm për të lejuar numërimin e fletëve të votimit, vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave. Në këtë pikë, kreu i maxhorancës propozoi që PS-ja t’i drejtohet Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Në rast se Rama dëshiron t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese e garantoj se jam i prirur dhe i vendosur të zbatoj çdo vendim të saj, kërkon t’i drejtohet Strasburgut, Qeveria ime çdo javë vendos për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, sado që shpesh herë janë të dhimbshme dhe shumë të kushtueshme. Pra, unë mendoj se rezoluta nëse nuk bëjnë sofizma dhe unë nuk kam prirje për të bërë asnjë sofizëm, unë kam prirje të plotë për të zbatuar në përpikëri sëbashku me ju atë rezolutë”, u shpreh Berisha. Një tjetër variant për kërkesën e PS-së është edhe hetimi i procesit elektoral përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Në rast se dëshirojnë, le ti drejtohen KQZ të procedojë me kutitë votat dhe të gjitha, të krijojnë komisioni, nëse dëshirojmë rinumërimin dhe insistojnë të rinumërimi t’u drejtohen gjykatave shqiptare dhe të huaja, pasi Gjykata e Strasburgut prevalon mbi gjykatat e vendit. Shpresoj, dëshiroj, uroj të arrijmë të fillojmë punën për zgjedhjet e ardhshme, të hartohen amendamentet më të mira dhe nuk tërhiqem aspak, le t’i hartojë opozita këto amendamente në përputhje me rekomandimet që ka bërë ODIHR-i për zgjedhjet t’i votojmë ato dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të ardhshme, si një shoqëri e lirë siç jemi”, theksoi më tej kreu i shumicës parlamentare. Deklaratat e Kryeministrit Berisha vijnë vetëm pak ditë pasi në Parlamentin Europian u miratua një rezolutë, e cila bënte thirrje për zgjidhjen e krizës politike përmes hetimit të materialeve zgjedhore. Në të njëjtën seancë të PE-së, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule i bëri thirrje klasës politike të shohë përpara në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë më dyshime për manipulimin e rezultatit.
"Komision i ri hetimor për zgjedhjet"
Klosi: Berisha ta harrojë djegien e fletëve të votimit
Partia Socialiste i bëri dje apel Kryeministrit Berisha të pranojë ngritjen e një komisioni të ri hetimor parlamentar, por ta harrojë djegien e fletëve të votimit. Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, në një prononcim për shtyp nga selia rozë, i bëri thirrje dje Kryeministrit Berisha të pranojë ngritjen e një komisioni të ri hetimor, ku shumicën dhe kryetarin ta ketë opozita, dhe komisioni të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit. "Të harrojë djegien e fletëve të votimit dhe çdo lloj diversioni, pengese, makinacioni e përpjekje për të penguar punën e këtij komisioni sepse kjo do të shënonte ndarjen përfundimtare me këtë Parlament e me këtë Qeveri", nënvizoi Klosi. Ai shprehu gatishmërinë për të nisur punën për të zgjidhur krizën politike në vend, duke u mbështetur në rezolutën e PE-së, e cila, sipas PS-së, kërkon transparencën e zgjedhjeve. Deputeti socialist tha dje se rezoluta e Parlamentit Europian shpreh atë që PS ka kërkuar vazhdimisht, lidhur me transparencën e zgjedhjeve. "Rezoluta e Parlamentit konfirmon edhe njëherë atë që Partia Socialiste ka thënë qysh në krye të herës: transparenca është një parim bazë dhe një standard i pamohueshëm i një demokracie perëndimore. Të gjitha përpjekjet e Sali Berishës për të ndaluar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit janë thjesht përpëlitjet e dëshpëruara të një regjimi për t'i shpëtuar përballjes me krimin, mbi të cilin ngrihet pushteti i tij", u shpreh Klosi. Sipas tij, Sali Berisha duhet ta dijë mirë, se pa u plotësuar të gjitha kërkesat e rezolutës së Parlamentit Europian, nuk do të ketë asnjë hap përpara drejt zgjidhjes së krizës.
Rama: Të hetojmë dhe fletët e votimit
Kreu socialist tha pak ditë më parë se hetimi i materialeve zgjedhore duhet të përfshijë dhe fletët e votimit. "Rezoluta e PE-së flet qartë për transparencë përmes hetimit të materialit elektoral. Me material elektoral apo zgjedhor, Kodi ynë Zgjedhor nënkupton gjithçka ndodhet në kutitë e votimit, përfshirë dhe fletët. Por jemi të gjithë të vetëdijshëm për qasjet e ndryshme ndaj fletëve të votimit, atëherë jemi të gatshëm këtu të bëjmë dhe një kompromis, që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk mund të përfshijë djegien e fletëve të votimit", u shpreh Rama. Kreu socialist në interpretimin e tij të nenit 178 të Kodit Zgjedhor u shpreh se ky nen do të kishte kuptim vetëm nëse kërkesa për transparencë të zgjedhjeve do të ishte plotësuar nga maxhoranca qeverisëse.
Svoboda: PS-PD të gjejnë zgjidhje
Nënkryetari i Grupit Socialist e Demokrat në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, i bëri apel Qeverisë dhe opozitës të gjejnë një rrugëdalje për të zgjidhur krizën. "Kriza duhet të zgjidhet sa më shpejt, e më pas të niset puna me reformën zgjedhore, mbi të cilën të mbështeten zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat "të paktën një herë të mund të quhen nga të gjitha palët, të lira, të ndershme dhe transparente. "Për Parlamentarin Europian, legjislacioni i ri duhet "të bazohet tek analiza e legjislacionit të kaluar, çfarë mund dhe çfarë duhet bërë më mirë herën tjetër, në mënyrë që të ketë transparencë të plotë". Hannes Svoboda thotë se shkuarja e PS-së në Parlament është një hap i rëndësishëm, por nuk ka mbyllur krizën.