E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e 31-vjeçarit, autorët: Patëm një sherr të momentit

 

DURRES - Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka lënë në burg tre të rinjtë, të cilët ekzekutuan mesditën e së premtes 31-vjeçarin Sajmir Balla. “Burg pa afat” ka qenë masa e kërkuar nga prokurori i çështjes Edmond Karriqi, për shtetasin Elis Tefa, Olgert Dervishi dhe minorenin Xh.M. Ndërkohë që në ditët e mëpasme pritet të merret edhe masa e sigurisë ndaj shtetasit Ervin Kodra, i cili është vënë përballë akuzës së “përkrahjes së autorit të krimit”. Lidhur me këtë ngjarje është vënë re një angazhim maksimal mes policisë dhe prokurorisë, i konfirmuar dhe nga kryepolici i Durrësit, Ilia Nasi. Nga ana tjetër prokurori që ka marrë çështjen në dorë, Edmond Karriqi, ka qenë në vendngjarje vetëm pak minuta pas krimit, duke ndihmuar policinë në identifikimin e atentatorëve. Mësohet se kërkesa e prokurorit Karriqi është pranuar nga trupi gjykues, duke lënë kështu tre të rinjtë pas hekurave. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se të arrestuarit kanë pranuar krimin që kanë kryer, duke thënë se “kanë qenë momente kur nuk kanë arritur ta kontrollojnë dot veten”. Tefa, i cili është vetëdorëzuar në polici ka pranuar se ka qëlluar pas një sherri të momentit, version ky që nuk ka bindur aspak prokurorinë. Ndërsa të tjerët kanë pranuar se “e kanë rrahur 31-vjeçarin Sajmir Balla, para pak çastesh, se të ndodhte ngjarja dhe më pas kanë ndihmuar Tefën të largohej nga qendra e Durrësit”. Tre të rinjtë do të vazhdojnë të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Durrësit deri në gjykim të plotë të çështjes.             o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›