E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilësia e universiteteve, lista e renditjes para Formularit A2

SHKRUAN: Jonida Tashi 07-07-2011 11:15

Rezultatet e shumëpritura, mbi të gjithë prej studentëve, për cilësinë e universiteteve publike dhe private janë gati dhe tashmë pritet vetëm publikimi i tyre. Burime zyrtare nga Agjencia Publike e Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (APAAL) bëjnë të ditur se lista e renditjes së universiteteve, nga më i miri deri tek ai që nuk i plotëson standardet e kërkuara, do të publikohet javën e ardhshme. Specialistë pranë kësaj Agjencie thonë se raporti për monitorimin dhe renditjen e institucioneve të arsimit të lartë, në bazë të cilësisë së diplomave që ato ofrojnë, ka përfunduar dhe do të bëhet publik rreth datës 12 korrik. Të njëjtat burime shpjegojnë se ekspertët gjermanë që janë marrë me këtë proces kanë rënë dakord që kjo nismë që ndërmerret për herë të parë në vendin tonë, të bëhet publike përpara se maturantët të plotësojnë Formularin A2, ku do të përzgjedhin degët në të cilat synojnë të studiojnë, duke u dhënë kështu mundësi të rinjve që të bëjnë zgjedhjen e duhur. Sikurse është bërë e ditur edhe më parë, në këtë proces nuk kanë marrë pjesë të gjitha universitetet. Por, megjithëkëtë fakt, këto universitete nuk do të penalizohen, por thjesht seleksionimi do të bëhet nga vetë maturantët që do të zgjedhin më të mirin dhe diplomën më të sigurt që ofrohet në tregun e punës. Kështu, ndonëse në total, në vendin tonë numërohen 62 institucione të arsimit të lartë publik dhe privat, vetëm 35 prej tyre janë përfshirë në procesin e rankimit, disa për arsye se nuk i ofrojnë katër fushat e studimit ku do të bëhet renditja, nuk kanë numrin e nevojshëm të studentëve që kërkohet, janë institucion i ri, të tjerë se nuk kanë pranuar të marrin pjesë, një ndër të cilët është edhe universiteti më i madh i vendit për nga numri i studentëve, Universiteti i Tiranës. Drejtuesit e këtij të fundit kanë bërë të ditur se e kanë bojkotuar procesin e rankimit, pasi kërkonin që më parë të bëhej akreditimi i universiteteve. Procesi i renditjes së universiteteve sipas cilësisë zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në katër fusha studimi dhe bazohet në dëshirën e vetë institucioneve për të marrë ose jo pjesë në të. Katër fushat e studimit për të cilat do të kryhet procesi i rankimit, janë: Drejtësi/Juridik; Infermieri/Fizioterapi/ Mami; Shkenca Sociale; Ekonomi-Biznes. Implementimi dhe realizimi i këtij projekti bëhet i mundur nga bashkëpunimi i tre institucioneve: Centre for Higher Education (CHE); Agjencia Publike e Akreditimit e Arsimit të Lartë (APAAL); Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Listimi i institucioneve të arsimit të lartë i paraprin procesit të akreditimit, për të cilin deri tani nuk ka aplikuar asnjë pranë Agjencisë Publike të Akreditimit, ndërkohë që për momentin i vetmi universitet publik që ka mbaruar këtë proces është universiteti ushtarak “Skënderbej”. Në vitet në vijim APAAL, në bashkëpunim me institucione të tjera kombëtare e ndërkombëtare, do të jetë organizatori dhe finalizuesi i renditjes së institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri.

62 institucione të arsimit të lartë publik dhe privat që ofrojnë programe të ndryshme studimi numërohen aktualisht në vendin tonë

35 prej tyre janë përfshirë në procesin e rankimit, disa për arsye se nuk i ofrojnë katër fushat e studimit ku do të bëhet renditja

Lista do të bëhet publike para se maturantët të plotësojnë Formularin A2, duke u dhënë mundësi të rinjve që të bëjnë zgjedhjen e duhur

Publiku dhe privati, nuk ka financim pa akreditim

Skema e re e financimit të universiteteve do të bazohet mbi standardet që ato ofrojnë

Nëse universitetet publike apo ato private nuk do të akreditohen nga një agjenci të cilën mund ta zgjedhin vetë, ato nuk do të përfitojnë nga sistemi i ri i financimit. Drejtuesit e arsimit që merren me procesin e akreditimit thonë se të gjitha universitetet duhet t’i nënshtrohen këtij procesi, i cili vlerëson standardet që ato ofrojnë, pasi, në të kundërt, nuk do të përfitojnë fonde për studentët, apo për investime. Kriteret e përfshirjes në këtë skemë do të jenë dy: do të përfshihen universitetet publike, por do të përfshihen edhe universitetet private, me kusht që të jenë jo-fitimprurëse dhe së dyti, universiteti duhet të plotësojë një standard të cilësisë, të pranueshëm për Shqipërinë dhe ky standard do të adoptohet në përshtatje me standardet europiane. Parimi bazë i reformës së financimit të arsimit të lartë do të jetë: fondet publike ndjekin studentin në shkollat e larta publike dhe private që plotësojnë standardin e cilësisë. Bursa studimi do të përfitojnë studentët që kanë kaluar me sukses Maturën dhe kanë arritur një prag të caktuar të pikëve, do të ketë bursa për fushat prioritare dhe për ekselentët. Ndërkohë që do të funksionojë edhe sistemi i kredisë studentore, sipas të cilit, çdo student që regjistrohet në universitet publik apo privat do të ketë të drejtë të marrë një kredi studentore, por me kushtin e cilësisë. Shlyerja e kredisë do të bëhet në kohën kur vetë studenti të fillojë të punojë, që të mos bëhet barrë e familjes.

Fushat për të cilat do të kryhet procesi i rankimit

1. Juridik/Drejtësi: Juridik, Drejtësi, Jurist biznesi.

2. Infermieri: Infermieri e përgjithshme, Mami, Fizioterapi.

3. Shkenca sociale: Sociologji, Shkenca komunikimi, Shkenca politiko-administrative, Marrëdhënie ndërkombëtare, Filozofi-Sociologji, Shkenca politike.

4. Ekonomi-Biznes: Drejtues finance, Financë-Bank, Menaxhim biznesi, Financë- Kontabilitet, Financë, Marketing, Menaxhim-Agrobiznesi, Ekonomi dhe Politika agrare, Ekonomiks, Ekonomi turizmi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›