E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, ISSH zbardh rritjen në lekë sipas kategorive

SHKRUAN: Jonida Tashi 07-07-2011 11:12

Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh rritjen e pensioneve në lekë sipas kategorive. Mbështetur në vendimin e Këshillit te Ministrave për rritjen e pensioneve, nga i cili

përfitojnë në total 570 561 persona, ISSH ka llogaritur dhe ka nisur që dje shpërndarjen për të gjitha përfitimet që rrjedhin nga ky vendim për të gjithë pensionistët, me efekte financiare nga data 1 korrik 2011. Kështu, janë rritur në masën 4% të gjitha pensionet e pleqërisë urbane, invaliditetit, familjarë, si dhe të gjithë përfituesit e programeve të veçanta si: ushtarakë, minatorë, ish-punonjës të industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë. Ndërsa të gjitha pensionet e pleqërisë rurale, të invaliditetit dhe ato familjare janë rritur me 7%. Sipas rritjes, pensioni minimal i qytetit nga 10 690 lekë bëhet 11 117 lekë. Pensioni i plotë i qytetit ishte 21 380 lekë dhe bëhet 22 234 lekë. Pensioni minimal i fshatit nga 6 980 bëhet 7 468 lekë. Pensioni maksimal i fshatit nga 11 117 lekë bëhet 11 317 lekë. Drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, ka bërë të ditura dje në një konferencë për shtyp detajet e vendimit për rritjen e pensioneve, ndërsa ka njoftuar edhe nisjen e shpërndarjes të shtesës nga rritja. Duke pasur parasysh që rritja ka filluar nga dita e djeshme, pensionistët që e kanë tërhequr pensionin nga data 1 deri më 5 korrik, do të mund t’i tërheqin diferencat e rritjes, përkatësisht: data 1 më 11 korrik; data 2 më 12 korrik; data 3 më 13 korrik; data 4 më 14 korrik; data 5 më 15 korrik. Fondi i vënë në dispozicion për këtë rritje është 270 milionë lekë në muaj, dhe për pjesën e mbetur të vitit 2011 është 1 634 miliardë lekë. Drejtoresha e ISSH-së ka sqaruar edhe skemën e kompensimit. “Dëshiroj të theksoj se edhe pas kësaj rritjeje, çdo pensionist, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë kompensim të të ardhurave të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave: 350 lekë kompensim nga VKM nr.138, datë 31.3.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; 150 lekë kompensim nga VKM nr.471, datë 15.7.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”; 500 lekë kompensim nga VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; 760 lekë kompensim nga VKM nr.763, datë 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; 190 lekë kompensim nga VKM nr.415, datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”; 200 lekë kompensim nga VKM. nr.474, datë 30.06.2010 “Për rritjen e pensioneve”. Pas datës 1.7.2011, të ardhurat minimale të personave që përfitojnë pensionet e plota të pleqërisë dhe pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, përjashtuar ato të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jenë më të ulëta se 13 267 lekë në muaj. Ndërsa për personat që përfitojnë nga pensionet e caktuara sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jenë më të ulëta se 8 358 lekë në muaj dhe më të larta se 11 317 lekë në muaj.

Masat e pensioneve pas rritjes

Pas kësaj rritjeje, të ardhurat minimale ndryshojnë si më poshtë:

Të ardhurat minimale për pensionin minimal të qytetit:

Ishte

10 690 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 + 190 + 200 = 12 840

Bëhet

11 117 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 + 190 + 200 = 13 267 lekë

Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte

21 380 lekë + 350 + 150 = 21 880 lekë

Bëhet

22 234 lekë + 350 + 150 = 22 734 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:

Ishte

6 980 lekë + 200 + 690 = 7 870 lekë

Bëhet

7 468 lekë + 200 + 690 = 8 358 lekë

Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit:

11 117 lekë + 200 = 11 317 lekë

Përcaktohen kufijtë edhe për pensionet e reja

Nëpërmjet vendimit për rritjen e pensioneve, qeveria ka përcaktuar edhe kufijtë e pensioneve të reja, që janë caktuar duke filluar që nga data 1 korrik deri më 30 qershor të vitit 2012. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të këtij ligji, që kanë datë fillimi nga 1.7.2011 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 11 117 lekë në muaj dhe më shumë se 22 234 lekë në muaj. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.7.2011 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 7 468 lekë në muaj, por jo më shumë se 11 117 lekë në muaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›