Qeveria vendos kuota tavan për shpërblimet
Qeveria ka përcaktuar kuotat tavan për përdorimin e fondit të veçantë për institucionet buxhetore, nëpërmjet një vendimi të posaçëm dje, gjatë mbledhjes së qeverisë. Çdo institucion ka të drejtë të përdorë 5 për qind të fondit total për politika të veçanta që kanë lidhje me fatkeqësitë, sëmundjet apo me festat. Kështu në rastet e vdekjes së punonjësit të institucionit, pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në rast të vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët) pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. Ndërsa në rastet e sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale, apo një trajtim mjekësor i gjatë, pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Për çdo rast të daljes së punonjësve në pension pleqërie, pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore. Edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të dhënies së ndihmave të menjëhershme, masa e ndihmës së dhënë përballohet nga fondi i veçantë. Në këto raste, masa e ndihmës jepet pas miratimit nga titullari i institucionit qendror përkatës nëpërmjet një udhëzimi, në të cilin parashikohen rregullat dhe kriteret e përfitimit të këtyre ndihmave. Qeveria gjithashtu ka përcaktuar edhe kuotat tavan që punonjësit e institucioneve kanë të drejtë të përdorin në raste të veprimtarive socialkulturore. “Në veprimtarinë me karakter social apo kulturor, që përballohen nga fondi i veçantë, përfshihen ato veprimtari të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni” thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Në çdo rast, masa e shpenzimit, që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë për punonjës. Kur veprimtaritë social - kulturore organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe të akomodimit paguhen nga vetë punonjësit”. Fondi i veçantë në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet në masën 5% të fondit të pagave. Fondi i pagave, për efekt të llogaritjes së fondit të veçantë, do të përfshijë vetëm fondin e pagave për numrin faktik organik të punonjësve buxhetorë. Në këtë fond nuk përfshihet fondi i pagave për punonjësit në listë pritjeje, me kontratë të përkohshme, për ushtarakët në reformë, për punonjësit në dispozicion, për pagesën e bashkëshortëve të ushtarakëve dhe atë të studentëve ushtarakë. Fondi i veçantë përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë, për shpërblimin e punonjësve në fund të vitit kalendarik, shpërblime të tjera, të parashikuara me akte të tjera ligjore apo nënligjore, dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe për raste të tjera dhe veprimtari social-kulturore.
Fondi i veçantë, ja kufijtë e përdorimit
-Në rastet e vdekjes, jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- Në rast të vdekjes së një anëtari të familjes, deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.
-Në rastet e sëmundjeve të rënda të punonjësit, deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
-Për çdo rast të daljes së punonjësve në pension pleqërie, një pagë mujore.
- Në çdo rast, masa e shpenzimit, që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë për punonjës.