Pezullohen 11 bizneset e naftës, kanë abuzuar me ligjin
Për shkak se nuk kanë plotësuar kriteret ligjore që kanë bëjnë me kapacitetet e depozitimit dhe tregtimit, Inspektorati Qendror Teknik ka pezulluar dje 11 kompani të tregtimit të hidrokarbureve. Ja lista
Janë 11 shoqëri në fushën e hidrokarbureve, për të cilat Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi dje pezullimin e lejes së tregtimit. Pezullimi është për 30 ditë. Vendimi në fjalë ka ardhur në bazë të propozimeve të Inspektoratit Qendror Teknik, pas kontrolleve të vazhdueshme që ky institucion ka zhvilluar në veprimtarinë e subjekteve të tregtimit me shumicë në fushën e hidrokarbureve. Shoqëritë që iu është pezulluar leja e tregtimit janë: shoqëria “ER-AR” sha; shoqëria “Glob Oil sha”; shoqëria “Refraktare” sha; shoqëria “KX Petrol” sha; shoqëria “Gleand Oil” sha; shoqëria “General Lubrifikant”sha; shoqëria “LC” sha; shoqëria “Plus-Oil sha”; shoqëria “Leksoil-Elika” sha; shoqëria “Ylli Artemis” sha dhe shoqëria “Marash Oil” sha. Nga kontrollet e kryera nga iQT është konstatuar se, disa prej subjekteve nuk plotësojnë ose kanë humbur kushtin e kapacitetit depozitues, dhe subjekte të tjera nuk plotësojnë kushtin e respektimit të normave teknike të sigurisë në depozita, për të cilat janë licencuar në ushtrimin e aktivitetit të tregtimit. Në propozimin për pezullimin e lejes së tregtimit, Inspektorati Qendror Teknik shprehet se me gjithë detyrimet e lëna dhe e masat e mara ndaj këtyre subjekteve, ato vazhdojnë të mos plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999, “Për Përpunimin, Transportimin dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të Tyre”, i ndryshuar. Në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës citohet se ky digaster është i vendosur në përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj, për të mbrojtur konsumatorin nga abuzimet dhe padrejtësisë që bëhen në treg, e sidomos në tregun e hidrokarbureve. Në të njëjtën kohë, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, prej disa muajsh ka ngritur një grup pune, për verifikimin e ligjshmërisë së ushtrimit të aktivitetit të shoqërive të tregtimit të naftës dhe të nënprodukteve të saj. Gjithashtu, Naço ka kërkuar nga Inspektorati Qendror Teknik zbatimin me rigorozitet të ligjit Nr. 8450, “Për përpunimin transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, dhe në rast të konstatimit të shkeljeve zbatimin me rigorozitet të të gjitha sanksioneve që parashikon ligji, nga vendosje gjobe deri në heqjen e lejes së tregtimit, apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë.
Shoqëritë që iu është pezulluar leja e tregtimit janë:
ER-AR sha
Glob Oil sha
Refraktare sha
KX Petrol sha
Gleand Oil sha
General Lubrifikant sha
LC sha
Plus-Oil sha
Leksoil-Elika sha
Ylli Artemis sha
Marash Oil sha.