E Diel, 1 Nëntor 2026

Cilësia, në shtator nis kontrolli për universitetet private e shtetërore

Universitetet shqiptare do të kontrollohen nga një kompani amerikane, lidhur me cilësinë e tyre. 

Një vendim i tillë i qeverisë ka ardhur pas kontrollit të ushtruar në universitetet e Kosovës, ku cilësia e tyre rezultoi të ishte në nivele shumë të ulëta. Kompania amerikane që do të vlerësojë cilësisë e Institucioneve të Arsimit të Lartë, pritet të mbërrijë në shtator në Shqipëri, për të kryer akreditimin e jashtëm për çdo institucion publik dhe privat të Arsimit të Lartë shqiptar. Një nismë e tillë mësohet të jetë përkrahur edhe nga drejtuesit e konferencës së rektorëve. Në Shqipëri numërohen 12 universitete publike dhe rreth 14 private, këta të fundit të çelura pas vitit '91, me vendosjen e demokracisë. Sipas zyrtarëve vlerësimi i kësaj kompanie do të paraqesë një renditje me pikë jo vetëm të Institucioneve të Arsimit të Lartë, por edhe të programeve te veçanta të studimit, pra për çdo diplomë. Kjo nismë do të mbështesë MASH dhe Agjencinë e Akreditimit në kryerjen e Vlerësimit Institucional të pavarur të IAL publike dhe private kundrejt kërkesave dhe standardeve evropiane të harmonizuara me ato kombëtare. Në bazë të të dhënave për vendimmarrjen në fushën e akreditimit, të marra nga MASH, kompania do të përgatisë planin e punës, metodologjinë, procedurat për vlerësimin institucional, metodologjinë për të bërë krahasimin dhe radhitjen, etj. Rezultatet e vlerësimit të kompanisë amerikane do të bëhen publike nga MASH, e cila mbi bazën e tyre (rezultateve) do të marrë dhe masat përkatëse ndaj universiteteve publike dhe private, që nuk plotësojnë standardet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›