E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazia gjinore, Ballauri nderohet me “Pishtari Kampion”

Elsa Ballaurit i dorëzohet në mënyrë simbolike "Pishtari Kampion MDG3", për kontributin që do të japë në përkrahjen e çështjes së barazisë gjinore dhe fuqizimit ekonomik të grave në Shqipëri. 

Një pishtar i ndezur ka qenë simboli që është zgjedhur nga ambasada daneze për të promovuar MGD3 (Objektiva 3 e Zhvillimit të mijëvjeçarit), e cila synon të "Eliminojë pabarazinë gjinore mundësisht në edukimin fillor dhe të mesëm nga 2005 deri në 2015". Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në ambientet e "Hotel Tirana International", ambasadori Danez, Niels Severin Munk ka theksuar se, përzgjedhja e Elsa Ballaurit, është bërë për pasionin dhe angazhimin që ka treguar në arritjen e ndryshimeve mbi disa çështje, të cilat nuk janë akoma në qendër të debateve politike dhe zhvillimit shoqëror në Shqipëri. Ndërkohë Ballauri, drejtoreshë ekzekutive e "Grupi Shqiptar për të drejtat e njeriut" është shprehur se, është e nevojshme krijimi i një lëvizje grash të suksesshme, e cila do të mundësonte zhvillimin e vërtetë të një shoqërie të emancipuar. "Kjo është sfida që unë mendoj se duhet realizuar: fuqizimi i grave për krijimin e një lëvizjeje më të fuqishme të tyre në Shqipëri", ka nënvizuar Ballauri. "Thirrja Globale për Veprim MDG3" nuk është thjesht një projekt që synon barazinë gjinore, por ai synon të arrijë një angazhim nga ana e të gjitha qeverive për të bërë një çështje kyçe barazinë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave. Ballauri hodhi idenë e krijimit të një tradite, për të mbështetur dhe promovuar të gjithë ata persona që do të punojnë në drejtim të barazisë gjinore, në fuqizimin e rolit të gruas. "Me shumë kënaqësi, pas një pune të filluar dhe rezultateve pozitive, unë do të kem kënaqësinë ta kaloj pishtarin në duart e të tjera grave, që punojnë dhe shpenzojnë energjitë e tyre për të ndihmuar procesin e gjatë dhe të vështirë të civilizimit të plotë dhe të krijimit të Lëvizjes së Organizuar të Grave në Shqipëri", ka përfunduar Ballauri. Aktiviteti ka qenë në vazhdën e iniciativës mbarë botërore "Thirrje Globale për Veprim", për të promovuar MGD3.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›