VARGU I SKËNDERBEUT. Zbulime të reja në Vrap, Shën Gjergj dhe Kërrabë
Petrika GROSI
Ndonëse ka vite e vite që punohet, vazhdojnë zbulimet e relikteve, gjurmëve antike të periudhave të ndrysme dhe njëherësh investohet në ekspedita kërkimore shkencore, botime e studime të ndryshme akademike, ende mungon një hartë arkeologjike për të gjithë vendin. Qendra e Studimeve Albanologjike duket se ka hartuar një plan për ta zgjidhur këtë problem, madje jo vetëm për Shqipërinë por edhe për trevat e tjera shqipfolëse në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Por teksa ky plan duket pak i largët deri në zbatimin e tij të plotë, arkeologu Skënder Muçaj, tregon për gazetën “Albania” se këto territore po shihen me kujdes nga arkeologët, për të hedhur dritë mbi periudha të ndryshme, që nga paleoliti e deri në periudhën otomane. “Të dhënat janë shumë premtuese, për të parë në kompleksitet gjithë historinë e marrëdhënieve njerëzore në trevat tona. Përveç kishave në zonën e Tiranës, po kërkojmë dhe vendbanime të reja të fortifikuara. Në zonën e Kërrabës është folur herë pas here që pasur fortifikime por ishin të pazbuluara. Gjithashtu, kemi vëzhguar për të zbuluar dhe vendbanimet e fshatit Vrap, thesari i të cilit është i famshëm në të gjithë botën.” –thotë Muçaj duke shtuar se “nuk kemi arritur ende që t’i gjejmë muret rrethuese në Vrap sepse është zonë shkëmbore por kemi gjetur qeramikë me shumicë dhe tjegullat e shtëpive.” Arkeologu shpjegon se banesat, në përgjithësi ishin të ndërtuara më dru. Në anën tjetër, është riparë për zbulime të reja Kalaja e Dajtit dhe ajo e Tujanit, të cilat bashkë me Vrapin dhe Kërrabën lidhen të gjitha me njëra-tjetrën në një periudhë. Teksa e pyesim mbi pritshmërinë e mundshme të rezultateve të kërkimeve arkeologjike në zonat pranë Tiranës arkeologu përgjigjet: “Do të kemi më në fund një hartë të plotë të gjithë vendbanimeve të hershme nga Mati në Shkumbin. Vitin e kaluar, por dhe këtë vit do të realizojmë vargun e Skënderbeut në dy krahët e tij, lindje e perëndim. Çdo ditë bëhen zbulime të reja. Për herë të parë kemi rënë edhe në Shën Gjergj në gjurmët prehistorike, romake dhe të antikitetit të vonë të vendbanimeve të kësaj zone. Karakteristikë e këtij vargu është se periudha prehistorike nuk njihej në këtë zonë. Nuk njiheshin mirë as fortifikimet dhe gjithashtu, janë zbuluar një numër i madh i varrezave mesjetare.
Shenjtorët ndryshojnë
Një studim që do ishte me interes të bëhej këtu është edhe mënyra si kanë ndryshuar shenjtët. P.sh. Në Vrap, kemi pasur fillimisht Shën Janin. Nga Shën Jani është bërë Shën Mëri, për t’u shndërruar më tej në kultin e Shën Gjergjit. Pra, kemi të bëjmë edhe me një lloj evolucioni në besimin e Krishterë. Arkeologët e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës kanë mbledhur një numër të madh toponimesh, të cilat do të ndihmojnë gjuhëtarët që të krijojnë një ide më të mirë mbi ndryshimin e emrave, kushtet, shkaqet dhe lidhjet sociale, politike e fetare që mund të kenë ndikuar në këtë gjë në periudha të ndryshme në vende të ndryshme. Kështu mund të shihet më mirë fenomeni se si ka evoluar gjuha jonë ndër vite. Nga reliktet, me përjashtim të Prehistorisë dhe Mesjetës, periudha qytetare është e varfër për zonat rrotull Tiranës, megjithatë, sipas Skënder Muçajt, kemi mjaft materiale që i përkasin shek.III – shek.VI.
12 Maj 2009