Partitë kërpudha
Ish-kryetari i KQZ, Çlirim Gjata, nuk e mban dot një nënqeshje ironike. Është e pamundur të flitet me të për minuta të tëra, kur i përmendim një nga partitë politike të regjistruara në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007, e cila konkurroi për pesë bashki e komuna, por nuk mundi të marrë asnjë votë të vetme. As atë të kryetarit të tij. “Është vërtet qesharake kjo histori, por atëherë për ne ishte një telash i papritur. Logjikisht i binte që kësaj partie të mos i ishin numëruar votat dhe kjo do të ishte një provë për probleme të procesit. Bëmë verifikimet e mundshme dhe doli që ditën e votimit, edhe kryetari i saj ndodhej jashtë shtetit”, - thotë Gjata. Bëhej fjalë për një parti me emër të gjatë, Partia 8 nëntori, Pezë-Gjirokastër, e cila ishte regjistruar rregullisht në KQZ, kishte paraqitur kandidatët e saj, kishte mundur të marrë madje edhe një financim zyrtar nga buxheti i shtetit, por nuk kishte mundur të merrte asnjë votë të vetme. Shembulli komik i dy viteve më parë, në fakt, shkon shumë më shumë përtej një humori politik. Ai vazhdon deri në grotesk, kur verifikohen adresat e selive të këtyre partive. Në shumicën dërmuese të rasteve, sipas adresave që ato kanë paraqitur në KQZ, rezulton se selitë janë banesat private të vetë kryetarëve. “Mapo” kontrolloi një pjesë të tyre dhe identifikoi pikërisht këtë gjë. Një prej tyre - nuk i përmendet emri për etikë - ndodhet në një pallat me tulla të kuqe në periferi të Tiranës, në katin e tretë të tij. Ka dy tabela të vogla metalike njëra mbi tjetrën në derën e rëndë metalike. Sipër është shënuar emri i kryetarit të partisë si kryefamiljar dhe poshtë, stema e partisë.
Gara e 28 qershorit
Edhe në këto zgjedhje për garën e 28 qershorit janë regjistruar në KQZ plot 45 parti politike. Veç partive tradicionale dhe të njohura nga publiku, ka dhe nga ato parti krejt të panjohura, të drejtuara nga emra krejt të panjohur, që me një kurajë të habitshme i hyjnë një valleje, të cilën edhe vetë e dinë se nuk do ta heqin deri në fund. Megjithatë, Kodi Zgjedhor nuk mund të bëjë kalkulime të tilla paraprake, ai nuk mund të pengojë askënd që pretendon se është parti politike që të konkurrojë në zgjedhje. Por kësaj radhe situata ka ndryshuar: thembra e Akilit mbeten dy filtra të rëndësishëm për të penguar depërtimin në lista të konkurrentëve qesharakë, të cilët, veç të tjerash, dëmtojnë gjithë procesin ose më saktë akoma, e bëjnë atë vërtet komik e grotesk. Ashtu siç është në thelb e gjithë historia e histerisë shqiptare, filluar që nga fundviti 1990, kur në Shqipëri shpërtheu moda e krijimit të partive politike. Arsyet janë të shumta, që nga manitë tona kombëtare të një posti “drejtues” për veten, e deri në arsye “banale” që kanë të bëjnë me ndihmën financiare siguruar nga shteti, zyrat dhe pasaportat e shërbimit. Të paktën kështu ka qenë situata deri më tani, një situatë që Kodi Zgjedhor tenton ta ndryshojë në mënyrë “të butë”.
Regjistrimi në KQZ
Edhe për zgjedhjet e këtij viti janë regjistruar në KQZ plot 45 subjekte politike. Mes tyre emra nga më të çuditshmit, por që në çdo rast shoqërohen nga mbiemri “...e Shqipërisë” dhe mbiemri tjetër, “...Demokratike”. Në disa raste, nuk mungon dhe mbiemri tjetër i modës: “...Evropiane”. Ka prej tyre që janë krijuar dhe ndarë dhe bashkëjetojnë të dyja në armiqësi. Njëlloj “divorci” si në familje, ku kryetari dhe nënkryetari krijojnë nga një parti më vete.
Lista e siguruar nga KQZ ka të përcaktuar emrin e kryetarit të tyre dhe të përfaqësuesit ligjor. Pa paragjykuar askënd, mund të përmenden për shembull:
1. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë
2. Partia Aleanca Kombëtare
3. Partia Demokracia e Re Evropiane
4. Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
5. Partia Forca Albania
6. Partia e të drejtave të Mohuara - E re
7. Partia Ora e Shqipërisë
8. Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman Shqiptar
9. Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
10. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë
11. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
12. Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian
Të gjithë këta emra janë regjistruar zyrtarisht dhe seriozisht në KQZ. Dhe sipas ligjit, secila nga to ka të drejtë të caktojë edhe vëzhgues në zgjedhje. Një aritmetikë e thjeshtë në këtë rast do të ishte vërtet tronditëse: numri i vëzhguesve, fjala vjen, do të ishte i frikshëm për t’u menduar, kurse ca më keq akoma, numri i kandidatëve që konkurrojnë, nëse do të ndodhte matematikisht një gjë e tillë, do të fluturonte te shifra fantastike prej 6300 kandidatësh. Një korparmatë e pamundur për t’u listuar dhe jo më për t’u njohur.
Filtri i parë
“Të jap atë që nuk ta pengoj dot, por ta marr sërish ndryshe”. Meqenëse është e pamundur të pengohet kjo modë “gare”, Kodi Zgjedhor megjithatë i ka ngushtuar hapësirat për shfaqje të tilla të ekstremit të humorit politik. Humor i zi, madje. Edhe pse neni 64 i këtij Kodi e lejon lirshëm regjistrimin e partive fantazma, mjafton paraqitja e vërtetimit nga gjykata se partia ekziston, emri zyrtar i saj, vula dhe personat përgjegjës, në nenet e mëposhtme situata komplikohet për to. “Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 10 mijë zgjedhës”, - shkruhet në nenin 68 të Kodit, i cili specifikon se, në rastet kur bëhet fjalë për koalicione zgjedhore, numri shkon në 15 mijë votues. Natyrisht, firma të cilat duhet të jenë të noterizuara. Dhe duke kujtuar rastin e cituar të Partisë 8 Nëntori, Pezë-Gjirokastër, që nuk mori asnjë votë, edhe pse e përfshirë në konkurrim, këto shifra ngjajnë astronomike. Vetëm për të garantuar para-futjen në garë të 32 partive politike jo-parlamentare, duhet të krijohet një listë me firmëtarë që shkon deri në 320 mijë vetë. Një çmim që duket se do të jetë i pamundur për t’u paguar nga këta konkurrentë.
Filtri i dytë
Duhet të jenë me domosdo paratë; shumat që jepen paraprakisht për garën, të cilat garantohen nga buxheti i shtetit. Dhe këtu, Kodi është i “pamëshirshëm”. Ai parashikon që gjysma e fondit për partitë politike ndahet nëpërmjet partive, të cilat kanë mandate në Kuvend, gjysma tjetër për partitë që në zgjedhjet pararendëse kanë marrë jo më pak se dy deputetë në Kuvend. Dhe më tej akoma, ato parti që kanë fituar fonde në këtë mënyrë dhe nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë mandat për Kuvendin e ri, detyrohen të kthejnë paratë e marra. Dhe nëse nuk ndodh kështu, partia do të detyrohej të mos përfitonte fonde për pesë vjet dhe nuk mund të regjistrohet më po për 5 vjet në asnjë lloj gare elektorale në Shqipëri.
ǒdo të ndodhë
Ngjan se në këto zgjedhje, për shkak të dy filtrave që ka vendosur ligji, një pjesë e konsiderueshme e partive fantazmë, pa asnjë aktivitet politik dhe krejt të panjohura për publikun do të eliminohen që në krye të herës. Mosplotësimi i kushteve të Kodit do të sjellë largimin e këtyre partive kërpudha nga skena në të cilën nuk kanë qenë kurrë. Të paktën për t´i dhënë seriozitet një procesi që një herë në katër vjet e konsideron qytetarin shqiptar si sovranin që vendos se kush do ta qeverisë. Më pas kryetarët e partive kërpudha mund të vazhdojnë sërish qeverisjen e apartamenteve të tyre private, ku janë edhe kryefamiljarë që drekojnë pas pune e flenë pas darke, edhe kryetarë partish që i njohin vetëm ata vetë.