Cilët nuk duhet të harrojnë: Ne apo ata?
Gërdeci është një ngjarje tepër e dhimbshme. Është, padyshim, një aksident tragjik. Si çështja e të ndierit Kostaq Trebicka, që u mbyll në mënyrë gjyqësore, si një aksident dhe jo si një vrasje e qëllimtë. Ky version i dytë, i një politizimi të turpshëm, ua mbylli gojën opozitarëve tanë sui generis, të cilët kërkojnë të politizojnë gjer në neverí edhe ngjarjet më alogjike. Ekspertiza amerikane i dha verdiktin përfundimtar variantit të hamendësuar me synime përfituese politike, të opozitës sonë. Po flitet, tani, jo pa mbështetje në arsyetimet më të thjeshta, për qëllime nekrofilike.
Përse opozita e mëparshme nuk e shfrytëzoi për qëllime të pamoralshme ngjarjen e Qafë-Shtamës, e dukshme si ajo e Gërdecit, por vetëm me dy viktima? Shpërthimi i pak kohëve më parë në Poliçan, që pati si viktimë edhe atë gruan fatkeqe që ndezi pak zjarr, sa për t’u ngrohur, a nuk qé pasojë e një pakujdesie? Këto episode dramatike kanë qenë të shumta në kohën e ministrave të Mbrojtjes të tetëvjeçarit, para z. Mediu. Por nuk u quajtën të qëllimta.
Një dukuri tjetër e shëmtuar e opozitës, është edhe ajo që të marrë atributet e prokurorit, pa i lënë prokurorisë që të merret qetësisht me çështjen. Duket (dhe është) ndërhyrje në punët e gjyqësorit. Pa u dhënë vendimi (rast konkret, dosja Trebicka), e merr vendimin opozita. Dhe hipokrizia qëndron në atë, se ngrenë njëherësh zërin në kupë të qiellit për pavarësinë e institucioneve juridike! Kur shtrohet dualiteti e qëllimtë- e paqëllimtë, ky çiftëzim ka lidhje të drejtpërdrejtë me pyetjen: Kush ka përfitim nga një ngjarje e rëndë dhe kush do të donte që kjo ngjarje të mos ndodhte? Këtë pyetje thelbësore opozita jonë e shmang në mënyrë cinike. Jo se nuk e kupton, por se dëshiron t’ia lërë harresës.
Përgjigjen më të mirë për këto ndërlikime interpretimesh e kanë dhënë vetë banorët e Gërdecit, që duan ta kujtojnë atë që ndodhi si një fatkeqësi duke folur, me mirënjohje madje, për masat e menjëhershme humanitare që u vunë në zbatim të rrufeshëm për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve: në dërgimet pa humbur sekondën në spitalet italiane e në ato greke; në strehimin e atypëratyshëm gjer në hotelet bregdetare të Durrësit; në pajisjen në kohë rekord me batanije, me veshje dhe me sigurimin e ushqimit. Përse këta opozitarë, - si askund në vendet perëndimore nga të cilat marrim shembull, - çështjen e të mbyturve në Otranto, për të cilën sot janë në grevë familjarët e viktimave, - kërkojnë ta lënë ngjarjen tragjike në shurdhërí? Ç’masa u morën në atë kohën e tyre, kur celularët ishin në veprim dhe kur vetë familjarët implikojnë persona të rëndësishëm të asaj kohe? A mund të shpëtoheshin, së paku, një pjesë e madhe atyre viktimave? Pra, qëndrimi i sotëm i banorëve të Gërdecit, - që është bërë një qytezë e transformuar, - dhe i të ngujuarve të familjarëve të të mbyturve, kundër qëndrimit majtist, janë të pakrahasueshëm. Por këtë duan ta lënë në harresë opozitarët e tanishëm.
Dy pamje, diametralisht të kundërta. Zonja Jozefina Topalli thuajse e paralizoi zellin e tepërt të politizimit të Gërdecit, të z-s Valentina Leskaj, kur ia përmendi marrëdhëniet (allishverishet, në të vërtetë), të Delijorgjit me Edvin Ramën. Mori një përgjigje jashtë temës, që s’ishte përgjigje, - siç ia tha copë kryetarja e parlamentit.
* * *
Tani, me rastin e përvjetorit të parë të tragjedisë së Gërdecit, e majta jonë kërkon të përfitojë rishtas nga kjo fatkeqësi dhe ta shndërrojë në propagandë zgjedhore një ngjarje zie! Pa marrë fjalën e atyre që e pësuan atë fatkeqësi.
Vetë ata që duhej të kishin fjalën vendimtare sesi të veprohej, thanë jo! Për më tepër, ata thanë se do ta bëjnë vetë përkujtimin e këtij njëvjeçari.
Duket se e majta nuk heq dorë nga qëndrimi jonjerëzor i disa ngjarjeve të hidhura. Në vend të heshtjes në nderim të viktimave, preferon zhurmën propagandistike. Hipokrizia nuk fillon e mbaron këtu. Kemi edhe dy elemente: Në manifestime duhet të bashkohen pa dallime partiake! Veçse ai që është jo i majtë, u dashka që të dëgjojë aty mësymje dhe shpifje kundër partisë së vet! Por edhe slogane, si ai “Mos të harrojmë”!
Flasin kështu bash ata që duan të harrohet ç’bënë, pasi morën pushtetin në mënyrë të dhunshme, në nëntëdhjetë e shtatën. Duan të mos përmenden fare paudhësitë e atij tetëvjeçari pa rrugë dhe pa dritë, me një korrupsion të paparë dhe me të korruptuar që s’u ka hyrë as gjembi në këmbë. Nuk do të themi më asnjë fjalë të tepërt për atë tetëvjeçar, që e pasqyroi Rama para këpëdarëve të tij, sa për të marrë kryesinë e PS-së.
Për sot do të mjaftohemi me një kronikë të kohës kur E. Rama ishte kryetar i ri i bashkisë dhe filloi menjëherë nga arbitraritetet:
Taksistët e Vlorës, revansh kundër E. Ramës: “Do të bllokojmë Urën e Mifolit”!/Shoferët e furgonëve-taksi të Vlorës janë tepër të revoltuar ndaj Bashkisë së Tiranës. Ata pengohen të qarkullojnë në unazën e Tiranës, gjë që nuk ndodh me targat e këtij qyteti. Kur janë duke marrë pasagjerë për ne Vlorë në vendqëndrimin pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, atje vjen policia dhe ua zbret pasagjerët. Telashi është, natyrisht, edhe për këta të fundit. Duhet kërkuar mjet udhëtimi. Madjè, në tjetër vendqëndrim. Kjo përbën shqetësim, sidomos për ata që duhet të mbërrijnë në Vlorë në një orë të caktuar. Le të përmendim, për shembull, rastin e një varrimi, për të cilin është paracaktuar ora.
Por shoferët e Vlorës, të mbledhur para trotuarit buzë Lidhjes së Shkrimtarëve, janë të dëmtuar thellësisht në punën e tyre, ndonëse janë të rregullt si taksapagues, me licencën përkatëse për ushtrim profesioni, etj. Ata nuk largohen nga Tirana, pa i dhënë një zgjidhje problemit të tyre. Janë në pritje të një takimi me Edi Ramën, por endé nuk po pranohen prej këtij të fundit. Ditët rrokullisen. Kanë kaluar më shumë se 10 ditë, sipas tyre, dhe sorollatja e mëtejshme bëhet e padurueshme.
-Po nuk e zgjidhëm problemin, do të ikim bosh për në Vlorë dhe do të bllokojmë Urën e Mifolit për furgonët e Tiranës, që kërkojnë të hyjnë në Vlorë,- tha njëri prej tyre, në fizionominë e të cilit shprehej qartësisht zemërimi. Të tjerët miratonin me gjeste fjalët e shokut të tyre.
Këtë qëndrim bashkiak ata e përgojonin me shprehje të shumta, që mund të përmblidhen në një fjalë të vetme: arbitraritet!
Meqë qytete të ndryshme të të njëjtit shtet paskan jo të njëjtin qëndrim e rregullore jo të barabarta për qarkullimin rrugor, ata, vlonjatët, sikur duan ta sfidojnë këtë pengesë për të cilën fajësojnë kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, duke ia paguar atij me të njëjtën monedhë zellin për t’i dhënë „emrin e reformës“, çdo veprimi që duket se bëhet për t’iu kundërvënë rregulloreve të mëparshme, duke e shndërruar këtë ballafaqim si qëllim në vetvete, paçka se, në vend që të vihen vetullat, nxirren sytë, - ishte thelbi i arsyetimit, me fjalë paksà të ndryshme nga këto, të njërit që rrinte së bashku me shoferët e që s’merrej vesh nëse kishte edhe ai një furgon të bllokuar, apo ishte udhëtar që donte të nisej për në Vlorë.
Me siguri, fjalët e atij që ishte i mendimit të bllokohej Ura e Mifolit, që kishin pak a shumë kuptimin e një revanshi, do t’i kenë vajtur në vesh kryetarit të ri, Rama, i cili vetëm kështu mendohet se do ta ulë, mbase, fodullëkun që të mos jetë kaq shpërfillës ndaj këtyre hallexhinjve e të mos këmbëngulë me fodullëk ndaj një „vendimi“ që e ka marrë vetë, pa e menduar thellë se punët do të shkonin gjer në ndarjen e qyteteve, me domethënien: -Si na e bëni, do t’jua bëjmë!
Premtimet se Bashkia do të ishte e hapur natë-ditë për të zgjidhur problemet e qytetarëve, sikur avulluan, kështu, qysh në ditët e para të ngrohjes së kolltukut bashkiak! Në këtë kontekst, një tiranas, që kaloi aty pari, tha me ironi të dukshme: -Të shohim edhe premtimet e tjera! Se mos përngjajnë me premtimin për inaugurimin më 29 shtator, të Skënderbeut të bojatisur, që akoma është i mbështjellur me pelerinën e plastmasit dhe, siç thuhet, me këmbën e kalit të thyer!
Një i papunë, që ndodhej pranë shoferëve të pezmatuar, ia këputi për gallatë, duke iu drejtuar atyre:
-Po zotin Edi Rama, në bllokimin që do të bëni në Mifol, a do ta ndaloni të vijë në Vlorë, nëse do të ketë një rrugë për aty?
Dy shoferë e panë vëngër dhe ia këputën një të sharë vlonjatshe, ashtu siç iu kishte ardhur në majë të hundës.
Qyfyrexhiu iku për në bilardo, apo për në ndonjë vend tjetër, për të shtyrë ditën, si i papunë që ishte!