E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vend të fejtonit për paloidetë e tipave si Maklen Misha!

Lexova shkrimin e Z. Strazimiri tek Gazeta “Panorama” dhe, i impresionuar nga stili, u thashë disa shokëve me të cilët pinim kafe atë ditë: Ky djale do bënte prokopi ne fushën e letrave, gjynah që ka zgjedhur politikën. Konciz ai pasqyronte Shqipërinë që mund të presim nga Zoti Rama me të majtën e tij duke shpjeguar me vërtetësi me se gatuhet gjella kutërbuese që ofron Rama, që ka hequr vathët e piercingët nga veshët e hunda për t’u treguar popullor nëpër dyert e shtëpive ku troket fals, si lypës.
Forcën e këtij artikulli e kuptova më mirë kur lexova shkrimin “Mbi vizionin e Z. Strazimiri …”, i cili mbishkruhej me pseudonimin Maklen Misha. Mbiemri më ishte i njohur ndërsa emri unikal si zemërimi i autorit. Ky u bë përsëri objekt diskutimi ngaqë njeri tha se ishte shtrembërim i emrit anglez Maclin, tjetri tha se vjen nga emri i Marksit dhe Leninit, kurse Ardi, një djalë që na bie kafetë, nguli këmbë se babanë ia quajnë Maks dhe nënën Leni. More, sa ishte tërbuar ky Z. Makslen!
Përgjigjen e pyetjes që i bëhej Ramës, për akuzën që i bëhej për djalin e tij atësinë e të cilit ai desh t’ia vishte të atit, autori e anashkalonte. Ky është fakt i njohur, por duhet ta pranoni Z. Maklen se ishte vërtet i idhët Zoti Strazimiri, kur pyeste se djalin e tij e kishte vëlla apo bir. Ky bën pjesë, jo vetëm në procesverbalin e gjyqit të divorcit të Ramës, por idhësia është produkt i stilit të Strazimirit, çka juve ju mungon, sepse megjithë diktimin që u është bërë, lajthitja juaj lulëzon, saqë herë e quani shkrimin te djeshëm, e herë të pardjeshëm. Qesharake është pozita juaj prej avokati të çoroditur, kur doni të merrni persipër moralin e shoqërise që pritet prej Ramës. Këtu qëndron niveli juaj inferior si replikues, i padenjë ndaj argumenteve te rreshtuara me aq forcë në shkrimin “Cilën Shqipëri duhet të zgjedh”. Në mungesë të argumenteve e quani „ agresiv, me prirje të qarta prej banditi “ etj.
Or zoti avokat i çoroditur, përgjigjiuni njëherë pyetjeve që shtrohen pastaj merrni të drejtën e na tregoni vizionin tuaj mbi moralin si “koncept relativ”. Atëhere referojuni edhe Erion Velisë, që, më kompetent e vizionar mund të jetë për orgjira e stile qejfesh, sesa për një shoqëri të së ardhmes! (I ruajttë Zoti nga ndonjë çimkë mediatike në shtëpinë e Pezës apo gjetkë, se do na shohin sytë lemerira). Pastaj, drejtohuni tek padroni juaj se ndoshta ju fal ndonjë apartament nga 15 përqindëshat në rrugën e pagëzuar prej tij me emrin e kriminelit Ndreko Rino.
Gërneta juaj e çakorduar nuk mund të prodhojë melodi. Ajo na ka vrarë veshët prej afro gjysëm shekulli. Shihni se çfarë po ndërrmer fushata e të majtës! Fatkeqësinë e përdor për të fituar kapital politik. Makabër! A s’është kjo perverse si gjithshka e Ramës? Më mirë kapni një nga ato xhufkat e vraponi pas tij në autostradë. Sepse këtu do ju drejtojnë pyetje të tjera. Njerëzve tashmë po u hapen sytë për të parë se ç’është e majta (sallakja e keqe) shqiptare. Është vetëm ajo e trashëguar nga krahu më kriminel i diktaturës, që është dënuar me ostrakizëm nga ky vend. Nuk mund të vazhdoni ta quani vizonar, modern, properëndimor e të zotin një njeri vetëm pse del lakuriq plazheve dhe ka vënë më shumë pasuri se çdo kryetar bashkie në botë. Sa për mbylljen tuaj, ku bëni tentativën më të dështuar për të përdorur një figurë letrare mbi sëmundjen e verdhëzës dhe përsëritjes, mora spunto për të përdorur proverbin latin jo më për verdhzën por për Përsëritjen “Repetitio est mater studiorum” (Përsëritja është nëna e dijes).
Përsëritja do të bëhet për t’ju mësuar juve se e ardhmja e këtij vendi nuk i takon moralit të Ramave me shokë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›