Intervista/Veriu i Kosovës faktikisht po vetëadministrohet në kuadër të Serbisë
Do të ishte racionale që çështja e menaxhimit të pjesës veriore të jetë në kuadër të kompetencave të ndërkombëtarëve, faktikisht në misionin e EULEX-it, ka thënë në një intervistë për Kosovapress analisti i çështjeve politike, Behlul Beqaj, duke shpalosur idenë e tij me të cilën pretendon se do të mund të gjendej një zgjidhje për pjesën veriore të Mitrovicës.
Realiteti në Mitrovicë çdo ditë shihet më mirë. Kush është përgjegjës për situatën e krijuar atje?
Është fakt se realiteti i hidhur po i demanton të gjitha premtimet, veçmas të pushtetit të Kosovës, i cili qysh nga zgjedhjet e para pati premtuar se do të bashkohet Mitrovica, por deri më sot mjerisht ndodhi e kundërta. Por, përgjegjës kryesor nuk e konsideroj vetëm pushtetin e Kosovës, nga fakti se pushteti ka qenë në shumë aspekte i varur nga ndërkombëtarët. Prandaj, sa kanë qenë pushtetarët e Kosovës përgjegjës për gjendjen e krijuar, ndoshta në masë më të madhe janë ndërkombëtarët. Kjo për faktin se edhe Rezoluta 1244 nuk ka nënkuptuar ndarjen faktike të Mitrovicës, siç është sot. Pra, ne kemi të bëjmë me një politikë të hipokrizisë të vendorëve, e cila është mbështetur nga ndërkombëtarët dhe natyrisht Serbisë, e cila gjatë tërë kësaj kohe ka luajtur rolin e vet, në kuptimin e shtrirjes së pushtetit atje, ku ka mundur dhe më shumë në Mitrovicë.
Si është duke funksionuar pjesa veriore, në kuadër të Kosovës apo Serbisë?
Definitivisht çështja e shtetit të Kosovës është një fakt i kryer, sikurse që sipas të gjithë indikatorëve në terren edhe çështja e pjesës veriore të Kosovës është faktikisht një pjesë që nuk frymon me politikën dhe shtetin e Kosovës. Pra, i kemi dy fakte të hidhura, të cilat nuk kanë korrespondim njëra me tjetrën, madje-madje, ato e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Pjesa veriore e Kosovës faktikisht është pjesë ku e shtrin pushtetin e vet Serbia, prandaj ajo pjesë formalisht mund të jetë brenda Kosovës, por faktikisht ajo është në kuadër të Serbisë. Po ashtu, fakti tjetër që akoma e kemi në fuqi Rezolutën 1244 do të thotë se këtu kemi një përzierje të pushteteve dhe sovraniteti nuk është ndarë mes shumicës dhe pakicës, por një pjesë e sovranitetit është edhe në kuadër të kompetencave të UNMIK-ut, përkatësisht bashkësisë ndërkombëtare.
Kemi shpalljen e pavarësisë dhe në anën tjetër respektimin e mëtutjeshëm të Rezolutës 1244. A kanë faj këtu ndërkombëtarët që nuk qartësojnë situatën?
Nga momenti kur pushteti ynë ka deklaruar se me fuqizimin e Kushtetutës do të shtrijë pushtetin në tërë territorin e Kosovës barra e përgjegjësisë formale bie në pushtetin e Kosovës. Nëse pushteti dhe shteti i pavarur ka ardhur në situatë të varshmërisë së plotë nga ndërkombëtarët. Edhe kjo është përgjegjësi e pushtetarëve tanë. Ndërkombëtarët, sikurse edhe Serbia do të luajnë rolin e tyre për aq sa kanë interes që situatën ta mbajnë nën kontroll. Kjo do të thotë se për ne është shtrirja e pushtetit, ndërsa për ata është me rëndësi që të ketë stabilitet – për ne është me rëndësi që të përmirësohen kushtet e jetës, ngase kuptimi i pavarësisë dhe shtetit shihet vetëm nëse qytetarët pas një viti jetojnë më mirë. Por, nëse qytetarët e Mitrovicës dhe Kosovës edhe pas një viti nuk jetojnë më mirë, unë mendoj se çdo gjë vihet në pikëpyetje, duke përfshirë edhe çështjen e territorit.
Keni shpalosur idenë tuaj, ku thoni se sovraniteti i pjesës veriore të kalojë në duart e Bashkimit Evropian. Çka më konkretisht duhet të bëhet për atë pjesë sipas propozimit tuaj?
Gjatë bisedës paraprake u kuptuam dhe më duket u dakorduam se çështja e pjesës veriore të Mitrovicës faktikisht është në kuadër të një pushteti të Serbisë, ndonëse ajo formalisht gjendet në kuadër të Kosovës. Sikurse u pajtuam se çështja e shtetit të Kosovës është punë e kryer. Do të thotë kemi dy fakte, të cilat nuk shkojnë njëra me tjetrën apo kundërshtojnë njëra-tjetrën. Mirëpo, edhe Kosova dhe Serbia, përkatësisht shqiptarët dhe serbët kanë një pikë referuese të përbashkët. Që të dyja synojnë integrimet evropiane dhe nëse kanë këtë pikë referuese të përbashkët dhe ne kemi një avancim karshi të gjitha shteteve që kanë pasur probleme nga luftërat që janë krijuar në Ballkan, me faktin që kemi EULEX-in - misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë. Konsideroj se ky avancim shumë i nevojshëm duhet të përdoret në interes të tejkalimit të situatës së krijuar, pikërisht në veri të Kosovës, duke i bartur kompetencat dhe sovranitetin e pjesës veriore në kuadër të Bashkimit Evropian. Nga kjo situatë nuk ka nevojë të bëhen ndryshime dhe kthesa të mëdha, por nevojitet vetëm që të rikonfigurohet misioni i EULEX-it dhe ta marrë në dorë çështjen e menaxhimit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Thoni që në udhëheqje mos të kenë dorë vendorët, por vetëm stafi ndërkombëtar?
Mendoj se do të ishte racionale nga krejt kjo që çështja e menaxhimit të jetë në kuadër të kompetencave të ndërkombëtarëve, faktikisht në misionin e EULEX-it. Natyrisht do të konsultohet Prishtina dhe Beogradi për veprimet e ndërmarra, por para së gjithash ata duhet të jenë të pavarur në kuptimin e trajtimit të pjesës veriore si një regjion evropian. Nëse pjesa veriore e Kosovës në bazë të ndikimit e menaxhimit të Bashkimit Evropian, që ka ardhur këtu i tejkalon kundërthëniet ekzistuese dhe problemet e trashëguara, dhe fillon funksionimi i shtetit ligjor, atëherë unë mendoj se përshpejtohet procesit i tejkalimit të problemit që mund të jetë shkatërrimtar për perspektivën e Kosovës, Serbisë, por edhe regjionit.
Mendoni se mund të gjejë implementim ideja juaj?
Absolutisht. Vetëm nevojitet vullneti politik. Regjioni i veriut të Kosovës ose Mitrovicës nuk prek në kufij, por regjioni nënkupton vetëm statusin e veçantë për të cilin do të ketë një kujdes dhe menaxhim të veçantë nga Bashkimi Evropian. Deri tani është vërtetuar se shqiptarët nuk janë në gjendje të menaxhojnë atë pjesë, sepse ne mund të mashtrojmë popullin edhe 100 vjet, nëse lejon vetë populli, por nëse vazhdohet kështu pezmi i popullit do të jetë kundër kësaj politike dhe Bashkimit Evropian. Nëse vazhdohet kështu njerëzit mund të ngriten edhe kundër EULEX-it, sepse ata po ballafaqohen me çështje jetike si nga pjesa shqiptare ashtu edhe nga serbët. Në anën tjetër nëse Serbia mendon se në këtë mënyrë mund të shtrijë pushtetin, ky është vetëm një mashtrim i ri dhe ajo përsërit politikën e Millosheviqit me metoda dhe mënyra tjera. Kjo, gjithsesi, nuk ka perspektivë. Në fund nëse misioni i EULEX-it ka ardhur këtu që të zgjidhë problemet, për të implementuar një politikë në kuadër të planit të Ahtisarit, atëherë do të ishte dështim që kjo mos të ndodhë pikërisht në frymën e integrimeve evropiane. Kjo është në kuadër të synimeve të përbashkëta dhe nevojitet vetëm vullneti politik, disa ndryshime të karakterit organizativ, strukturor të EULEX-it në veri të Mitrovicës dhe me një mbështetje të natyrshme nga Kosova e Serbia.
Për sa kohë mund të ketë përmirësime dhe kalohet kjo situatë?
Mendoj se çështja e implementimit nuk do të varej shumë nga afati kohor. Por, vlerësoj se me rëndësi është momenti i marrjes së vendimit. Më ka befasuar kur nga pala serbe në një debat të mëhershëm ka dhënë një qëndrim parimor për idenë time, por konsideroj se ata nuk e kanë trajtuar në thellësi propozimin. Ndërsa unë prita që ambasadori anglez të thotë se kjo ide është për t’u analizuar, por ai hodhi idenë, ndonëse Evropa e së ardhmes është Evropë e regjioneve. Konsideroj se ne kemi një situatë ku mund të testojmë gatishmërinë dhe aftësinë e Evropës që t’i zgjidhë problemet në kuadër të regjioneve dhe në këtë rast të shërbejë si lokomotivë e përshpejtimit e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Besoj se efektet e kësaj ideje do të vijnë ditëve të ardhshme në shprehje dhe në momentin kur eventualisht do të sqarohet dhe do të merret një kurs i qartë më i vendosur për të rishqyrtuar situatën e krijuar në këtë pjesë të Kosovës. Mendoj se nga ai moment fillon procesi i zgjidhjes së nyjës që quhet veriu i Kosovës.
Çka mund të ndodhë pas disa muajve nëse vazhdohet kështu?
Prognozën time e kam dhënë para disa muajve, ndonëse disa nuk pajtohen, disa heshtazi pajtohet dhe disa të tjerë e kundërshtojnë. Proceset mendoj se nuk inkurajojnë në kuptimin e zhvillimeve pozitive, përkundrazi unë mbetem pranë qëndrimit tim nga fakti se proceset nga pikëpamja politike janë kundërthënëse, në pikëpamjet ekonomike janë shumë të dëmshme për procesin e ardhshëm. Kemi protesta e demonstrata dhe paralajmërime të reja, të cilat do ta keqësojnë situatën. Ende nuk ka filluar procesi i implementimit të decentralizimit, çështjet e gjashtë pikëshit kanë mbetur ende pezull dhe ato do të fillojnë tash të ashpërsohen. Raportet mes pozitës e opozitës nuk janë në nivelin që dëshirojmë dhe situata e përgjithshme e krizës financiare botërore do ta bëjë të vetën. Të gjitha këto kur të mblidhen dhe nëse korrespondojnë në një kohë të caktuar mund të shkaktojnë rrethana të jashtëzakonshme, të cilat domosdoshmërish do të sjellin Kosovën në situatë të jashtëzakonshme, e cila do të mundohet të kalojë këtë edhe me zgjedhje të parakohshme, qofshin ato përmes krijimit të një trupi të përbashkët mbipartiak, apo qeveri teknike. Por, kjo nuk është prognozë e mirë nga këndi i analizës sime.
Për sa kohë do të duhej të ketë administrimin ndërkombëtar pjesa veriore e Mitrovicës?
Nga momenti që fillon menaxhimi e administrimi nga ana e Bashkimit Evropian, atëherë edhe mund të fillojnë proceset të ndryshojnë. Por se sa do të zgjasin këto procese të ndryshimeve, varet shumë nga efikasiteti se si do të menaxhohet me atë pjesë. Them se mandati i bartjes së sovranitetit do të ishte i lidhur me faktin derisa Kosova, por edhe Serbia të jenë pjesë integrale e Bashkimit Evropian.