E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku Rama le të trokasë në dyert e komunitetit të shkollës “Xhezmi Delli”

Teksa shihja edicionin e lajmeve u shfaq Kryetari i Bashkisë së Tiranës duke trokitur derë më derë në zonën e Alliasit. Nëse nuk do të komentonin gazetarët qëllimin e “trokitjes”,  besoj që të gjithë do e vlerësonin si një interesim të madh të tij për hallet e banorëve  edhe pse vonë. Por fatkeqësisht nuk qe një vizitë me natyrë interesimi por për mendimin tim qesharake dhe e pavlerë. Them kështu pasi kjo trokitje kishte si qëllim thirrjen e qytetarëve për në marshimin që organizoi opozita, sipas saj, në përkujtim të të rënëve në tragjedinë e Gërdecit. Nuk mendoj se ka njëri që nuk shpreh dhimbje për këta të ndjerë dhe për të dëmtuarit, qoftë shpirtërisht, qoftë materialisht, por nuk është kjo zgjidhja e duhur. Zgjidhja, sipas mendimit tim, duhej kërkuar në bashkëpunimin pozitë-opozitë për të ndihmuar njërëzit e dëmtuar nga kjo tragjedi si dhe për të gjetur shkaktarët e saj për të parandaluar tragjedi të tjera. Kjo trokitje është një përpjekje për të mposhtur kundështarin duke shfrytëzuar fatkeqësitë e të tjerëve.
Nuk dua të bëj komente politike pasi ka politikanë që merren me këto komente, por trokitja e kësaj natyre më zgjoi pyetjen e mëposhtme dhe një çudi, që u bë shkak i këtij shkrimi: -Përse z.Rama nuk troket në dyert e komunitetit të shkollës që unë drejtoj?! Po e konkretizoj, pse kam të drejtë të bëj këtë pyetje, sipas meje. -41 % e shkollës “Xhezmi Delli” vijnë nga komuniteti ballkano-egjiptian. Një pjesë e mirë e tyre kanë probleme  të ndryshme sociale si fëmijë pa prindër; prindër të divorcuar; prindër të papunë; prindër me përkrahje sociale. Duke u nisur nga këto, unë kam paraqitur problemet në Njësinë bashkiake 3, ku kam ngulur këmbë që të paktën familjeve  të  tre nxënësve tu jepet një ndihmë sociale. Por asgjë nuk u realizua. Një problem që kam ngritur në Bashkinë e Tiranës për të ndihmuar jo vetëm nxënësit e shkollës, por dhe komunitetin ka qenë, sistemimi i terreneve sportive dhe gjelbërimin e shkollës etj, që realisht duhet të ishin bërë kohë më parë. U bë verifikimi i problemeve nga drejtoria e infrastrukturës por deri tani nuk është bërë gjë. Më pas iu drejtova me një shkresë zyrtare Kryetarit të Bashkisë për të ndihmuar në plotësimin e kërkesave të paraqitura në drejtorinë përkatëse në Bashki, për vetë specifikat e shkollës, ku problemi i rikthimit të palestrës së shkollës mund të zgjidhet vetëm me ndikimin e tij.
Tek hapi një fushatë për të mbjellë pemë në kryeqytet, Kryetari i Bashkisë, nëpërmjet postës elektronike, kishte shpërndarë informacione për rezultatet e kësaj fushate, sipas tij. Kështu që arrita ta gjej adresën e email të tij ku kërkova më shumë vëmendje ndaj shkollës dhe komunitetit, duke i specifikuar sërish problemet. Nuk pati reagim. Përsa i përket infrastrukturës, mirëmbajtjes, ngrohjes, pastrimit, shkollat janë në juridiksionin e Bashkisë. Në disa shkolla është instaluar ngrohja. Pse shkolla  jonë është lënë pas dore?!
Do duket pak banale, por për ne është shqetësuese, ndaj nuk ngurroj ta them. Shkolla nuk po furnizohet me mjetet e domosdoshme pastrimi, detyrë e minibashkisë. Justifikimi i Minibashkiakut është se nuk kemi fonde. Ndoshta ka të drejtë, por kjo është çështje e tyre. Po nëse nuk do vijnë mjetet, me të drejtë mund të pyesim ku do shkojnë këto fonde? Edhe këtë çështje ia kam parashtruar z.Rama. Nuk mund të themi të njëjtën gjë në drejtim të mirëmbajtjes së shkollës nga ndërmarrja Nr.3, ku duhet falendëruar drejtori i saj dhe drejtori i ujësjellësit që zgjidhën problemin e furnizimit të shkollës në mënyrë të vazhdueshme me ujë.
Komuniteti ballkano-egjiptian respektohet nga komuniteti tjeter dhe kjo duket me fëmijët në shkollë. Por kjo nuk mjafton. Duhet bërë diçka për këtë komunitet për të ndryshuar përbërjen e shkollës në fjalë. Kjo duhej filluar me identifikimin e personave të papunë, të atyre pa ndihmë sociale (e pakta ). Të rregulloheshin rrugët në këtë komunitet. Të shihej mundësia e ndonjë ndërtimi të ri në këtë komunitet. Pse jo dhe të lyhen fasadat e pallateve ashtu si në qendër. Këto janë probleme që i takojnë pushtetit vendor. Problemet që i përkasin pushtetit qëndror ia paraqet  pushteti vendor sipas bashkëpunimit që ato kanë. Ishte shkolla jonë ndër të parat, në atë pellg, ku u instalua interneti menjëherë pasi MASH-i miratoi marrëveshjen me Telekomin për lidhjen e internetit në shkolla.
Le të trokasë z.Rama me Minibashkiakët, për të parë nga afër hallet dhe problemet e komunitetit në fjalë dhe të komuniteteve të pellgjeve të tjera, ashtu siç trokasim ne me mësueset tona të palodhura në shtëpitë e nxënësve që kanë tendencë braktisjeje për arësye të problemeve sociale  të sipërpërmendura. Dhe të mos trokasë për t’i përdorur këto njerëz  për qëllimet e veta partiake.

Autorja e letrës është Drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare të kryeqytetit, “Xhezmi Delli”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›