Grujo Ormuzdi dhe Gjole Gajomardi
Dëshpërimi im më i madh në këtë fushatë zgjedhore është koncepti i ndarjes së njerëzve në të mirë dhe të këqij. Këtë koncept me këmbëngulje dhe në mënyrë të papërgjegjshëm po e imponojnë kandidati për kryetar i VMRO-DPMNE, Gjorgji Ivanov dhe shefi i tij partiak, Nikolla Greuvski.
Nuk mbaj mend ndonjë kampanjë e cila nuk ka kaluar pa fjalë të rënda dhe tentime për stigmatizimin e kundërshtarit politik dhe përkrahësve të tij. Nuk them se kjo është normale, por ishte e pritshme. Për befasinë time më të madhe, kësaj radhe dëshmoj për përpjekje për t'i nxirë dhe për t'i frikësuar të gjithë ata njerëz të pakënaqur, të gjithë ata maqedonas të cilët janë të mashtruar nga ky pushtet, të cilët pikërisht për këtë nuk kanë mendim të mirë, por edhe shpresa. Në këtë kampanjë njerëzit e tillë janë shënjestruar si përfaqësues të se Keqes, si kuçedra të cilën Shën Gjorgji Ivanovi do ta shpojë me shtizë ose së paku do ta "zbusë" me mallkime deri në brezin e shtatë.
Kuptohet "demokristianët" Ivanov dhe Gruevski luftën e tyre kundër së keqes, përkatësisht projektin e tyre për suprimimin e "të mirës" (veprat e mira, mendimin e mirë), dëshirojnë ta prezantojnë si element esencial të etikës së tyre krishtere. Me këtë rast, gjithsesi, nuk do të hyjmë në diskutimin material për atë se sa në të vërtetë janë të mira veprat e tyre me të cilat krenohen dhe që i premtojnë. Kësaj radhe do të mundohem që atyre që nuk janë të udhëzuar t'u tregoj se diskursi etik i të dy asave vmroistë është pagane, parakrishtere.
Ormuzdi kundër Ahrimani/Siç është e njohur, në esencën e etikës krishtere është zbulimi dramatik i Jezusit se e Mira dhe e Keqja me të vërtetë janë kundërshtarë shekullore, por njëkohësisht edhe dy fytyra të një trupi. Askush nuk ishte i pagabueshëm. Dy forcat që qëndrojnë përballë njëra tjetrës gjallojnë në natyrën e njeriut dhe prandaj rruga e fitores së të Mirës ndaj së Keqes në të vërtetë është rruga e kurajës, besimit, dashurisë dhe faljes. Gjallimi i këtyre dy forcave në dy trupa, në dy hyjnorë është parakrishtere, koncept mitologjik dualist, i njohur më së mirë në mësimin e Zarathustrës ( që jeton rreth 1500 vjet para erës sonë). Ky mësim është religjion zyrtar i Persisë deri në shekullin 7, kur zëvendësohet me islamin. Pasuesit e Zarathustrës atëherë vendosen në Indinë Veriperëndimore - sot në Indi ka rreth 90 mijë pers, pasardhës të persëve të dikurshëm, kurse në Iran ka rreth 17 mijë pasardhës të Zarthustrës, kurse bashkësi më të vogla jetojnë në Pakistan, Britani të Madhe, SHBA, Kanada, Hong Kong dhe në pjesë të Afrikës Lindore.
Esenca e kësaj mitologjie është në marrëdhëniet e të Mirës dhe së Keqes, të gjallëruar në krijuesin e Botës, Ahura Mazda, më vonë i njohur me emrin Ormuzd dhe shkatërruesi i Botës, Angra Mainu, i cili do ta marrë emrin Ahriman. Ormuzdi, në të vërtetë, do ta krijojë Botën si kurth për ta kapur të Keqen. Ormuzdi do ta krijojë edhe paranjeriun, të përsorurin Gajomardu, si dhe të parin paraardhës të të gjitha kafshëve, para-gjedhin. Kurse Ahrimani do të krijojë djaj dhe keqbërës, të cilët i dërgon në Botë për ta sulmuar paranjeriun. Duke vdekur, paranjeriu dhe para-gjedhi e lëshojnë farën, nga i cili lind çifti i parë njerëzor (burrë dhe grua), por edhe shumë gjallesa e bimë të dobishme. Ormuzdi i hidhëruar do t'ia mbyllë të gjitha rrugët Ahrimanit dhe keqbërësve të tij, të cilët bëhen rob të kurthit, Botës. E Mira dhe e Keqja përballen mes veti dhe fillon lufta e tyre që do të zgjasë 3 mijë vjet.
"Kurajot" kundër "djajve"/Ajo që rrëfehet në këtë ngjarje është religjioni i vetëm që thotë se dikur e Keqja kishte qenë e Mirë, por për shkak të rrethanave ndryshoi. Por, kjo nuk e ndërron faktin esencial se në këtë diskurs mitologjik e Mira dhe e Keqja janë dy trupa të ndarë, dy forca abstrakte, dy hyjni. Zoti ynë i të Mirës, Nikolla Gruevski, është i rrethuar me të njëjta shtatë kurajot besnike mitologjike, me të cilët është i rrethuar Ormuzdi: mendimi i drejtë, drejtësia, besimi në Zot, pushteti suprem, dëgjueshmëria, shëndeti dhe pavdekësia. Në paranjeriun e përsosur, gjithsesi e njohim kandidatin për kryetar, Ivanovin. Por, për të tanë, Ormuzdin dhe Gajomardin, si dhe për ata nga miti, nuk do të jetë lehtë, sepse përballë tyre kanë kreacionet e Ahrimanit - mendimet e këqija (popullin e komunave), shpirtrat e të shkëputurve (përfaqësues është Lube Boshkovski), anarkia, pakënaqësia (populli që nuk është mirënjohës) dhe disa djaj të rrezikshëm, prej të cilëve më i rrezikshmi është Azi Dahaka, me tri koka, tre gojë dhe me gjashtë sy (ky duhet të jetë Fërçkoski). Është interesant të potencohet se në këtë anë është edhe djalli i keq femër, Nasu, që tregohet në formë të Mizës (Mirushe Hoxha?).
Edhe pse në fillim nuk vendos lufta (zgjedhjet) duket se e Keqja do të fitojë (Botën nuk e prek Dielli dhe Hëna, besimi nuk ekziston, humbet edhe tradita familjare, gjarpri i rrezikshëm liron djallin Azi Dahaka, por edhe shumë keqbërës tjerë). Por, pas shumë peripecive, ushtritë e mundshme të të Mirës prapëseprapë do ta mundin të Keqen dhe në fund gjithçka do të shndërrisë në persosshmërinë e Ormuzdit.
E Mira dhe e Keqja në secilin prej nesh/Shkurtimisht, ky është tregimi i vërtetë në të cilin janë inkuadruar Gruevski dhe Ivanovi, ndoshta edhe pa vetëdije. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me mësimin krishter, edhe pse për hir të të vërtetës, ka diçka të përbashkët me krishterimin. Në të vërtetë, në mësimin dualist të mazdaizmit mbështetet religjioni mitraist, i cili merr hov në Perandorinë Romake. Edikti milanez, me të cilin mbreti Konstantin e predikon krishterimin si religjion zyrtar është disi një kompromis mes religjionit krishter dhe besimeve të fuqishme pagane (mitraizmi). Sido që të jetë, tregimi për gjallërimin e të Mirës dhe të Keqes në dy trupa të ndarë është më e thjeshtë, më provokative dhe më e lehtë për të manipuluar. Prandaj, nuk më habit fakti që Guevski dhe Ivanovi e "gëlltitën" dhe tash prezantohen si përfaqësues të pagabueshëm të të Mirës. Por, nëse janë të krishterë të vërtetë, ashtu siç paraqiten, atëherë do të duhet ta kuptojnë se ai që vërtet beson në Zot, prapëseprapë duhet ta zgjedhë rrugën më të vështirë - rrugën e luftës së të Mirës dhe të Keqes në secilin prej nesh.
Unë nuk jam besimtar, po besoj se në secilin prej nesh zhvillohet lufta mes "ushtrive" të dashurisë dhe urrejtjes, fuqisë dhe tolerancës, varshmërisë dhe të qenit jo vetëm, mes së Mirës dhe së Keqes. Prandaj, fitorja e vërtetë e të Mirës ndaj të Keqes, asnjëherë nuk është humbje e madhe, por një kompromis në shpirt.
Jam i bindur se sot nuk ka njeri në Maqedoni, në shpirtin e të cilit nuk zhvillohet një luftë e tillë. Edhe në shpirtrat e atyre që kanë vendosur votën e tyre pa hamendja t'ia japin hyjnive tokësorë, Gruevskit dhe Ivanovit, por edhe në shpirtrat e atyre që janë përcaktuar për anën tjetër, janë shtresuar pakënaqësi të shumta, frika, mosbesimi, padëgjueshmëria, rezistenca. Ndjenjat e tilla gjithnjë e më shumë po forcohen dhe do të shpërthejnë. Dhe, askush nuk guxon t'i dënojë njerëzit për shkak të kësaj e aq më pak t'i ofendojë, duke mallkuar deri në brezin e shtatë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”