Cilido, përveç Barcelonës

Harry Redknapp ka thënë se nëse Tottenham synon të vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve dhe të kualifikohet për në çerekfinale, duhet t’i shmanget përballjes me Barcelonën.
Skuadra e Redknappit i qëndroi presionit të madh nga Milan në White Hart Lane të mërkurën dhe siguroi barazim 0-0, që i mjaftoi për të kaluar në çerekfinale të garës, duke eliminuar liderin e Serie A falë golit të sulmuesit Peter Crouch nga ndeshja e parë në San Siro.
Në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve, Tottenham tani është dy raunde larg finales në garën elite të klubeve evropiane në Wembley dhe do të mësojë fatin e vet në çerekfinale të premten e ardhshme. Por, pasi ishte dëshmitar i ndeshjes të së martës në Nou Camp, në fitoren e Barcelonës ndaj Arsenalit me rezultat 3-1, Redknapp tha se është një skuadër të cilës me dëshirë do t’i shmangej.
“Barcelona është një ekip me të cilin nuk do të doja të takohesha në çerekfinale. Mendoj se ishte një paraqitje e shkëlqyeshme e tyre kundër ekipit që pason topin më së miri në Premierligë. T’i bësh ata të duken aq të rëndomtë dhe t’i ndalësh pa asnjë goditje në portë ishte diçka e jashtëzakonshme”, tha Redknapp për The Guardian.