E Shtunë, 31 Tetor 2026

Almunia akuzon Arsenalin

Portieri i Arsenalit, Manuel Almunia thotë se disa prej bashkëlojtarëve të tij ecnin në fushë në humbjen 3-1 nga Barcelona në Ligën e Kampionëve. Ai beson se me angazhim më të madh, skuadra londineze do të kishte arritur të kualifikohej në çerekfinale. Por, pranon se futbollistët ishin të lodhur nga presioni i madh i katalanëve. Nga Express më 11 mars 2011 në ora 11:22

Manuel Almunia ka akuzuar disa prej bashklojtarëve të tij të Arsenalit se nuk kanë dhënë maksimumin në eliminimin nga Liga e Kampionëve pas humbjes nga Barcelona.

Portieri spanjoll, i cili ishte inkuadruar në lojë pas vetëm 19 minutave në Nou Camp, kur Wojciech Szczesny pësoi frakturë në gisht, bëri disa pritje të mira, derisa mysafirët ishin nën presion të madh.

Almunia nuk ishte në gjendje të ndalë ekipin e Arsene Wengerit t’i shmanget humbjes 3-1 dhe eliminimit nga gara në rrethin e dytë të saj në disfatën me rezultat të përgjithshëm 4-3, ku nikoqirët arritën fitoren duke shfrytëzuar përjashtimin e sulmuesit Robin van Persie në minutën e 56-të.

Tani Almunia rrezikon të ngjallë hidhërim mes bashkëlojtarëve të tij, duke sugjeruar se disa prej tyre nuk dhanë 100 për qind nga vetja në fushë dhe ndien se me angazhim më të madh Arsenali mund të ishte kualifikuar në çerekfinale.

“Barcelona dominoi dhe në pjesën e dytë ne kishim futbollistë të cilët nuk vraponin më. Na nevojitej vetëm një gol dhe me përpjekje më të mëdha mund t’u kishim shkaktuar dëm atyre në fund”, tha Almunia për Sky Sports News.

“Edhe te rezultati 3-1 na nevojitej vetëm një gol, andaj është e pakuptueshme se si disa futbollistë ecnin në fushë. Ishim të lodhur. Dukej sikur gjithçka ishte e humbur, edhe pse një gol mund të shënohet në çdo moment. Andaj, i vetmi shpjegim që kam është se ishim shumë të lodhur dhe futbollistët nuk mund të jepnin më tepër. Të reduktuar në 10 lojtarë, duhej të dyfishohej angazhimi. Ne u përballëm me një ekip të Barcelonës që është më i miri në botë”, shtoi ai.

Almunia pritet të mbetet numri 1 i Wengerit në javët e ardhshme, pasi Szczesny i është bashkuar Lukas Fabianskit jashtë fushës. Ai beson se mundësia për të luajtur rol të rëndësishëm, derisa Arsenali lufton për FA Cup dhe titullin në Premierligë, duke filluar nga udhëtimi i së shtunës në Manchester United do t’i ndihmojë atij të kthehet në formën më të mirë.

“Nuk kam çka t’i dëshmoj askujt. Kam edhe një vit në kontratën time me Arsenalin dhe më duhet të luaj disa ndeshje tani dhe kjo do të më ndihmojë të rikthehem përsëri në formën time më të mirë. Kam kaluar një periudhë të vështirë me lëndime dhe pa luajtur. Por, kam qëndruar i qetë. Tani do të luaj dhe do të bëj atë që më takon”, përfundoi Almunia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›